Në rrugëtimin e saj elektoral, Kryetarja e Kuvendit i ka kushtuar një vëmendje të veçantë takimeve dhe bisedave miqësore me përfaqësues të biznesit të vogël në qendrat e tyre të tregtimit. Ulja e taksave, licencimi brenda 24 orëve, kanë bërë që bizneset të shtohen vitet e fundit, dhe kjo ka sjellë rritjen e mirëqenies dhe ta ardhurave për familjet e tyre. Kryetarja e Kuvendit duke vlerësuar punën e tregtarëve ka garantuar se politika e uljes së taksave do të vijojë, dhe taksat  për biznesin e vogël nuk do të jenë më shumë se taksa e përgjithshme prej 10%. Përfaqësuesit e biznesit kanë shprehur kënaqësinë e tyre për klimën e krijuar. veçanërisht për shmangien e monopoleve dhe lehtësimin e burokracive që kanë bërë të mundur që bizneset e tyre të krijojnë më shumë të ardhura për familjet dhe fëmijët e tyre.

Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta zhvilloi një takim me mbështetës e simpatizantë të kësaj force politike në zonën e Bathores në Kamëz. Gjatë prezantimit të programit për veprim Meta u tha të pranishmëve se vota për LSI-në do të thotë vota për zgjidhjen e problemit të legalizimeve si dhe për reformën e madhe në punësim.

Ilir Meta: “Unë jam i bindur se do kem mundësinë me votën tuaj për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë çështjen e legalizimeve. Si një çështje shumë e rëndësishme sociale, por edhe ekonomike jo vetëm për ju, por për të gjithë vendin tonë. LSI ka programin më të qartë dhe më konkret për atë që kërkojnë më shumë shqiptarët sot që është punësimi i qëndrueshëm, që është garancia për të ndërtuar një jetë me dinjitet për familjet e thjeshta shqiptare dhe për fëmijët tuaj.”

Duke kritikuar programet qeverisëse të partive të tjera, Meta tha se Plani për veprim i Lëvizjes Socialiste për Integrim do ta fusë vendin në një ekonomi të qëndrueshme brenda 4 viteve.

….

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu  i shoqëruar dhe nga anëtarë të tjerë të kryesisë së kësaj force politike morën pjesë në një takim me mbështetës e simpatizantë në kryeqytet. Gjatë fjalës së tij kryerepublikani tha se koalicioni i djathtë qeverisës është koalicioni i suksesit i cili në këto vite qeverisjeje ka realizuar prioritetet e të gjithë shqiptarëve.

Fatmir Mediu: “Ju ftoj ju në datën 28 qershor të shkojmë të gjithë në votime, të realizojmë qëllimin dhe ëndrrën tonë, përfaqësimin tonë parlamentar, i cili padyshim sot ë jetë kontributi më serioz në parlament dhe në qeverisje, bashkë me demokratët për të ndërtuar Shqipërinë tonë Evropiane për të ndërtuar të ardhme të përbashkët në kombin shqiptar sot në NATO dhe nesër në BE.”

Duke u ndalur tek çështja e pronës numri një i republikanëve ritheksoi dhe një herë qëndrimin e forcës politike që ai përfaqëson për zgjidhjen sa më të shpejtë të saj. Duke e cilësuar pronën si një ndër faktorët drejt zhvillimit të vendit dhe si parakusht në anëtarësimin drejt Bashkimit Europian, Mediu tha se vota për partinë Republikane është vota e finalizimit të reformave të tjera.

….

Kandidati i PD për qarkun e Fierit, njëkohësisht ministër i Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi gjatë një takimi që pati në komunat Patos i Sipërm dhe Zharrëz, premtoi se në mandatin e dytë qeverisës së mazhorancës së djathtë nuk do të ketë distancë më të gjatë se 15 minuta për çdo dalje në akset kombëtare.

Sokol Olldashi: “Do të thotë ta shndërrojmë Shqipërinë në një vend me rrejt rrugor jo vetëm nacional, por edhe rrjet rrugor të brendshëm, modern dhe europian.”

Nga komuna Zharrëzës Olldashi premtoi se çdo shtëpi do të ketë ujë dhe infrastrukturë të mirëfilltë urbane.

Sokol Olldashi: “Në çdo shtëpi në do të çojmë asfalt, në çdo shtëpi do të kujdesemi që të ketë ujë, në çdo shtëpi do të shkojmë në një infrastrukturë të mirëfilltë  urbane.” Duke u ndalur në modelin qeverisës të ofruar nga kjo mazhorancë Olldashi tha, se PD vjen para zgjedhësve me një bilanc pozitiv të premtimeve të mbajtura.  Ai premtoi se brenda vitit të parë të mandatit të dytë të PD do të bëhet realitet ëndrra e të gjithë shqiptarëve për lëvizjen e lirë pa viza në BE. …./tvklan.a