Pasojat e shirave të dendur të së mërkurës janë ende të dukshme në qytetin e Durrësit. Zonat të cilat vijojnë të kenë prezencë uji janë ajo e Durrësit të Ri, Shkozetit, Gjykatës së Apelit dhe pjesërisht në Zonën e Plazhit. Të dhënat e Bashkisë, tregojnë se në Durrës janë ende 300 banesa nën ujë.
Zona e ish-Kënetës ka problemet më të shumta, pasi janë shkaktuar dëme të mëdha tek orenditë shtëpiake. Probleme janë shënuar edhe në Kodrën e Currilave, ku ka pasur rrëshqitje të dherave duke bllokuar rrugën që kalon në këtë zonë.
Autoritetet kanë bërë evakuimin e disa familjeve, të cilat janë akomoduar te Kavalishenca. Krahas ndërtesave, nën pushtetin e ujit janë edhe rreth 40 hektarë tokë bujqësore.
Duke parë situatën nga afër në terren ishte edhe ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu dhe kryebashkiakja e Durrësit, Emirjana Sako. Në mbështetje të forcave në terren janë angazhuar 2 pompa thithëse me kapacitet të lartë dhe 3 kamionë të kalueshmërisë së lartë nga Forcat e Armatosura.
Tv Klan