Përmbytjet e së mërkurës kanë shkaktuar dëme të shumta në Durrës. Zona më e prekur është ajo e ish Kënetës. Në dhjetëra banesa uji ka hyrë brenda ndërsa orenditë shtëpiake kanë dalë jashtë funksionit.

“Shumë ujë brenda, sa janë prishur të gjitha, me divane, me dollape, me të gjitha”, tha një banor, teksa një tjetër banore shprehet: “Unë e kam pothuajse komplet brenda ujë. Po të vish të shikosh brenda, kam filmime sa të duash, asnjë mobilje asnjë gjë nuk ka qëndruar mbi të, ka hyrë ujë mbi tërë mobiljet”.

“Sa të duash”, thotë një tjetër banor kur u pyet mbi sasinë e ujit, – “100%, çdo gjë ka dale jashtë loje fare”.

Po ashtu, edhe një banor shprehet: “Dëmtime ka sa të duash, me pajisje elektrike, me pajisje të gjera, të gjitha i ka”.

Banorët thonë se kjo situatë është e përsëritur.

“Është hera e katërt a e pestë, asnjë nuk ka ardh”, tha njëri banor.

“Është hera e dytë kjo. Ka qenë edhe njëherë tjetër, ka qenë deri këtu, nuk ka hyrë brenda. Kjo ka qenë katastrofë”, tha banori tjetër.

“Ne jemi nga 40 familje këtu që notojnë, ja siç e shikon”, tha një tjetër banor i cili u pyet edhe për mungesën e kanaleve teksa u përgjigj sërish: “Ajo është e gjitha, se kur u bë kjo rruga këtu  ata zotërinjtë nuk kanë marr tubin e gjerë po kanë marrë tubin e ngushtë”.  

Përfaqësues të autoriteteve lokale kanë dalë në terren dhe po bëjnë verifikimin e dëmeve.

“Janë 10 grupe për vlerësimin e dëmeve. Gjithsej sot që flasim nga informacionet tona janë rreth 300 shtëpia të përmbytura, 200 vetëm në zonën administrative numër 6, ajo e ish Kënetës për vetë karakteristikën e zonës, 100 të tjera në gjithë bashkinë e Durrësit”, tha Elio Jani.

Reshjet me intesitet që prekën Durrësin shkaktuan përmbytje në qytet por edhe në disa zona në periferi.

Klan News