Për situatën e krijuar për shkak të reshjeve të shiut në vend, Ministria e Mbrojtjes lajmëron se fokusi kryesor mbetet Bashkia Durrës, ku po punohet në disa zona për normalizimin e situatës.

Po punohet kyesisht pranë Bashkisë, në kryqëzimin e stadiumit, te stacioni i trenit, në lagjen “17 Nëntori”, në zonën e Kënetës dhe në Shkozet.

Emergjencat Civile u kanë ardhur në ndihmë 4 fëmijëve të bllokuar në një furgon shkolle dhe një familjeje, ndërsa më problematike është situata në rreth 40 banesa në Shkozet, ku është regjistruar prani uji.

Në mbështetje të forcave në terren janë Forcat e Armatosura me 2 pompa thithëse me kapacitet të lartë dhe 3 mjete të kalueshmërisë së lartë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, pjesa kritike në Bashkinë e Durrësit tashmë është tejkaluar.

Momentalisht po punohet në terren nga forcat e Drejtorisë Rajonale të Kullimit Durrës për pastrimin e Kanalit të Ujërave të Larta në Unazën e qytetit, ndërsa janë të angazhuar edhe strukturat e Autoritetit Portual, ndërmarrjet e Bashkisë Durrës, MZSH-së dhe Policia Bashkiake.

Prefekti i Durrësit në mbledhjen e emergjencave civile bëri një përmbledhje të situatës për të cilën tha se po shkon drejt normalizimit. Hidrovori po punon me kapacitet të plotë, ndërsa niveli i ujit në lumenjë Erzen dhe Ishëm është brenda kuotave dhe nuk përbën rrezik. Situatë normale paraqitet në digat e ujëmbledhësve dhe të shkarkuesve.

Në pjesën tjetër të vendit, situata është nën kontroll dhe pa problematika në qarkullim. Të gjithë lumenjtë dhe rezervuarët janë brenda kuotave të tyre normale e nuk paraqesin asnjë rrezik./tvklan.al