Numri i personave që derdhin kontribute shoqërore ka ardhur në rritije gjatë vitit 2023. Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, skemës i janë shtuar 25,623 kontribues të rinj, krahasuar me 2022-shin, duke e çuar numrin total në 826,928 kontribues.
Peshën më të madhe në skemën e kontributeve e zë sektori privatë me 47.7 %, 17.4% e zënë kontributet nga institucionet buxhetore, 16.9% të vetëpunësuar dhe 9.1 % të vetëpunësuarit në bujqësi.
Ndikimin më të madh në numrin e shtuar të kontribuesve e zënë fermerët dhe subjektet private.
Formalizimi i sektorit të bujqësisë si kusht për të përfituar nga skemat mbështetëse, është një nga faktorët që ka ndikuar në rritjen e numrit të kontribuesve në këtë sektorë me 13 381 qytetarë më shumë në krahasim me vitin e shkuar.
Numrin më të lartë të të deklaruarve si të vetëpunësuar në bujqësi e kanë qarku i Fierit, i Elbasanit dhe Korçës.
Të dhënat zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore po tregojnë se numri i kontribuesve po shënon rritje më të shpejtë se numri i pensionistëve përfitues duke sjell qëndrueshmëri të skemës së pensioneve. Pensionistët përfitues gjatë 2023 u shtuan me 18 mijë, duke arritur në 705 mijë.
Pensionistët në zonat urbane marrin mesatarisht mbi 18 mijë Lekë në muaj ndërsa në zonat rurale marrin rreth 11 mijë Lekë në muaj. Ky trend pozitiv në rritjen e kontribuesve, por nga ana tjetër edhe rritja e pagës minimale dhe maksimale mbi të cilën paguhen detyrimet e të punësuarve, kanë ndikuar edhe vjeljen e më shumë të ardhurave nga skema e sigurimeve shoqërore, duke ulur rrjedhimisht defiçitin, i cili ka pësuar ulje me 45.7%, ose 6.7 mld Lekë më pak detyrime.
Klan News