Me zhvillimet ekonomike dhe situatën demografike në vend, një reformë e pensioneve shikohet si domosdoshmëri. Kryeministri Edi Rama tha se pensionet janë kocka më e vështirë për t’u ‘gëlltitur’ nga një shtet.

“Sot, mjekë, mësues, ekonomisë, njerëz, njerëz nga sistemi i drejtësisë, që kanë dalë në pension pas 2014-tës, marrin pensione mbi 500 mijë Lekë, pra mbi 500 Euro. Ndërsa kolegët e tyre për të njëjtat vite pune që kanë dalë në pension para 2013-tës ose reformës së 2014-tës, marrin pensione shumë më të ulëta dhe një nga pikat që ne duhet të adresojmë është si të zbusim këtë konflikt dhe si të zvogëlojmë këtë hendek”, tha Edi Rama.

Ndër të tjera Rama tha se do vazhdohet me bonuesin për pensionistët.

“Kur vjen puna tek pensionet, duke pasur parasysh edhe faktin që jemi afër një dite zgjedhjesh, të gjithë ata që nuk kanë asgjë në dorë, premtojnë gjithçka. Mirëpo, të premtosh gjithçka të dëshirueshme dhe të imagjinueshme për pensionet do të thotë ti hapësh luftë fakteve dhe të hidhesh symbyllur drejt një humnere. Ne nuk mund ta bëjmë dot këtë dhe për këtë arsye ne do të ecim paralelisht, nga njëra anë me bonuset të cilat janë rritur në mënyrë të ndjeshme”, tha Rama.

E pranishme në këtë aktivitet ishte edhe drejtuesja e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, e cila tha se skema pensioneve po dëmtohet nga informaliteti i lartë.

“Reforma e pensioneve në 2014-ës e ka përmirësuar ndjeshëm skemën e pensioneve por emigrimi, informaliteti shumë i lartë dhe nën deklarimi i pagave po dëmton pensionet. Pensionet private duhet të kenë patjetër një rol plotësues, të jenë shtesë.  Ndryshimet në skemën e pensioneve do të kenë suksese vetëm nëse publiku e kupton nevojën për reformën e pensioneve”, tha Xiaoqing Yu.

Ministri i Ekonomisë Blendi Gonxhja gjatë fjalës së tij e vuri theksin të lufta ndaj informaliteti.

“Biznesi nga ana tjetër, që sot ka filluar edhe të ankohet për mungesë të fuqisë puntore, duhet të ndërgjegjësohet, t’u ofrojë punonjësve edhe skema suplementare pensioni dhe mbështetjeje të formulave të ndryshme për jetën pas punës, njësoj si bizneset në Perëndim, por edhe të rrisë e deklarojë tashmë, përfundimisht plotësisht pagat.”, tha Blendi Gonxhja.

Në krahasim me vitin 2014, numri i kontribuesve është rritur me 47.3% duke arritur në rreth 827 mijë kontribues. Aktualisht të ardhurat nga kontributet përbëjnë 6.73% e PBB.

Klan News