Përmirësohet gjendja shëndetësore e avokatit Sokol Mëngjesi, i cili u dhunua të mërkurën nga Elton Kasaj, Dorian dhe Drivald Alia. Nga skaneri i paradites së të hënës ka rezultuar se avokatit i është zvogëluar edema që ka pasur në një zonë të trurit.
Nisur nga ky fakt, mjekët kanë vendosur që të bëjnë zgjimin gradual të Mëngjesit. Sipas bluzave të bardha, medikamentet që e mbanin në gjendje kome, po ndërpriten gradualisht.
Përmirësimi i gjendjes shëndetësore vjen pas 5 ditësh trajtim mjekësor në spitalin e Traumës. Për dhunimin e tij janë arrestuar 2 persona që po mbahen në arrest në burg ndërsa 3 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Dritan Nano dhe dhëndri i tij Dorian Alia janë lënë në qeli pa afat nga Gjykata e Tiranës. Nano pranoi para uniformave blu që ka pasur konflikt me avokatin Mëngjesi, por ka mohuar që të ketë organizuar apo porositur ngjarjen.
Nga ana tjetër, Dorian Alia, 32-vjeçari që u vetëdorëzua pas sulmit të avokatit Sokol Mëngjesi ka pranuar akuzat e ngritura ndaj tij. Në dëshminë e tij para uniformave blu, Alia pranoi që ka qenë pjesë e sherrit dhe ka goditur vetëm një herë avokatin me grusht, por në gjykatë mohoi akuzat duke u shprehur se gjithçka ishte rastësore.
Policia e Tiranës vijon kërkimet për arrestimin e Drivald Alia, Elton Kasan dhe Romario Tabaku. Për arrestimin e tyre ka vendosur një shpërblim prej 20 mijë Eurosh.
Klan News