Përplasja e një treni me një autobus në Sllovaki ka shkaktuar vdekjen e 7 personave ndërsa janë plagosur 5 të tjerë. Autoritetet sllovake bëjnë me dije se ka qënë i vështirë identifikimi i personave që kanë ndërruar jetë për shkak të zjarrit që shpërtheu më pas nga përplasja.
Aksidenti ndodhi pranë qytetit Nove Zamky, 110 km në lindje të Bratislavës. Rreth 200 persona ishin në tren dhe nëntë në autobus në momentin e përplasjes. Kjo video e marrë nga një pasagjer tregon procesin pas evakuimit nga treni me pasagjerët që ecnin përgjatë shinave duke mbajtur bagazhe, ndërsa në sfond ngrihej tymi.
Autoritetet sllovake kanë vlerësuar veprimet e makinistit të trenit i cili ka vepruar në kohë për të shmangur daljen nga shinat. Me mbi 30 vite përvojë punë ai ka mundur të hidhet në dhomën e kontrollit pak para përplasjes, por ka marrë plagë.
Një hetim është duke u zhvilluar për të përcaktuar shkakun e aksidentit. Ka disa media që thonë se barrierat ishin jashtë funksionit pas një stuhie të fundit.
Presidenti i Sllovakisë, Peter Pellegrini, i cili ishte në Bruksel për të marrë pjesë në një samit të liderëve të Bashkimit Evropian shprehu ngushëllimet e tij për të afërmit e viktimave.
Klan News