Përurohet shkolla e re “Musine Kokalari” në Tiranë. I pranishëm në ceremoninë e përurimit, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se të gjitha shkollat e rindërtuara janë me kushte bashkëkohore.
“Presim të nisim punë për shkollat “11 Janari” dhe “Petro Nini Luarasi”, të cilat vërtet janë në ish-Bllok, por janë ndërtuar në vakt, e sigurisht janë amortizuar. Papritur, Kombinati ka shkolla shumë më të mira se qendra e Tiranës dhe mund të themi më të mirat në Republikë. E vetmja aspiratë që kemi është të shohim rezultatet. Sa më lart të dali shkolla në rezultate, edhe BE, edhe miqtë e PNUD-it, edhe ne të bashkisë, edhe Ministria, thonë: Ia vlejti stresi, sherri, shamataja, ato debatet e vogla, cic-micet e politikës. kur shohim që fëmijët kanë rezultate spektakolare”.
Sipas Veliajt me lagjen e re dhe shkollat e rindërtuara, Kombinati është transformuar totalisht.
“Ky është një projekt, të cilin e kemi pasur shumë për zemër. Më vjen mirë që Kombinati është transformuar totalisht. Tani do hedhim shortin për banesat e reja tek lagjja e re. Fakti që sot kemi shkolla si “Musine Kokalari”, “Myslym Keta”, që i kemi bërë me BE dhe miqtë e PNUD-it, kemi “Lasgush Poradecin”, “Betim Muçon”, krejt papritur i kanë zili edhe ish-Blloku dhe qendra e Tiranës”.
Kjo shkollë është një investim nga BE dhe zbatuar nga UNDP në Tiranë. Me rindërtimin e saj, tashmë 750 nxënësit nuk zhvillojnë më mësim më dy turne.
Tv Klan