Një person ka mbetur i plagosur me armë zjarri në qytetin e Pogradecit. Ngjarja ka ndodhur pasditen e kësaj të premteje në afërsi të stadiumit në një bllok pallatesh në periferi të qytetit.
I plagosur është A.J, një 35-vjeçar, i cili ndodhet në spitalin e Pogradecit.
“Më datë 01.03.2024, rreth orës 16:30, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Tushemishtit”, gjatë një konflikti të çastit, dyshohet se ka mbetur i plagosur me armë zjarri shtetasi A. J., 35 vjeç, i cili u dërgua në spitalin e Pogradecit për ndihmë mjekësore, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi policia.
Enigmë mbeten edhe arsyet e plagosjes së tij.
Në lidhje me këtë ngjarje u vendosën në pranga në mbrëmje dy të rinj që dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri.
“Në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur ditën e sotme pranë kryqëzimit të Tushemishtit, si dhe falë negociatave të bëra nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec me familjarët e dy autorëve të dyshuar të ngjarjes, u bë e mundur kapja dhe vënia para përgjegjësisë ligjore e tyre. Konkretisht u vunë në pranga shtetasit: D. M., 32 vjeç dhe K. L., 27 vjeç, banues në Pogradec. Shtetasit e mësipërm, gjatë një konflikti të çastit, me shtetasin A. J., 27 vjeç, dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, i cili për pasojë mbeti i plagosur dhe ndodhet për mjekim në spital”, njoftoi policia.
Në cilësinë e provës materiale u gjetën dy armët e zjarrit që dyshohet se u përdorën në konflikt, nga autorët e krimit, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale./tvklan.al