Ky është momenti kur kryeministri sllovak Robert Fico qëllohet me 5 plumba pistolete, pasditen e së mërkurës pas daljes nga mbledhja e qeverise.
Atentati ndaj tij u bë në sheshin qëndror të Handlovës, një qytet 15 kilometra në verilindje të Bratislavës.
Plumbat i shkaktuan plagë të rënda në disa pjesë të trupit. Fico u dërgua menjëherë në spitalin Banska Bistrica dhe pas operacionit mbi 3 orësh gjendja tij sipas mjekëve është stabël.
Por ministri i Mbrojtjes, Robert Kalinak tha se gjendja e Ficos është kritike dhe se po lufton për jetën. Ai shtoi se atentati ndaj Kryeministrit ishte motivuar politikisht dhe një sulm ndaj demokracisë.
Autori i sulmit u kap në vendngjarje nga truprojet e Kryeministrit, gjatë tentativës për t’u arratisur. Mediat sllovake shkruajnë se autor është 71-vjeçari Juraj Cintula nga qyteza jugore sllovake Levice, një shkrimtar i njohur me bindje të majta.
Në rrjetet sociale qarkullon një video ku Cintula flet në komisariatin e policisë dhe jep edhe arsyet se pse e ndërmori këtë akt.
“E qëllova sepse isha kundër politikave të tij si Kryeministër”.
Presidentja Zuzana Çaputova, kundërshtare politike e Kryeministrit 59-vjeçar, dënoi aktin duke e konsideruar si një sulm ndaj demokracisë.
Aktin e dënuan Presidentët Biden, Putin, Presidentja e Komisionit Europian, Kancelari gjerman e liderë të tjerë europianë.
Socialdemokrati Fico u rizgjodh Kryeministër në zgjedhjet e Shtatorit 2023, ndërsa ka mbajtur këtë post edhe për 2 mandate të tjerë nga 2012 deri në 2018-ën dhe shquhet si politikan me pikëpamje pro-Moskës dhe kundër emigrantëve.
Tv Klan