SPAK ka marrë të pandehur deputetin socialist Plarent Ndreca. Mësohet se sot i është komunikuar përmes avokatit të tij Ermal Yzeiraj, akuza e “shkeljes së barazisë në tendera”.

“Duke iu përgjigjur interesit të gjerë publik, ju komunikojmë se më dt.25.10.2024, të pandehurit, Plarent Ndreca, i është komunikuar, përmes avokatit të tij, përfundimi i hetimeve për procedimin penal nr.240/2021 për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal. Më shumë detaje do të vijojnë në një moment të dytë“, njofton Prokuroria e Posaçme.

Ndërkohë siç raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci, janë mbyllur hetimet për një tender në kohën kur Ndreca ishte Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme.

Ka qenë Kontrolli i Lartë i Shtetit që ka bërë një kallëzim për këtë me pretendimin se gjatë një tenderi për rikontruksionin e 4 komisariateve në rang vendi ka pasur abuzime dhe “fryrje” të kostove. Bëhet fjalë për komisariatin e Mirditës, Vlorës, Pogradecit dhe atij numër 4 në kryeqytet.

Gjatë asaj kohe KLSH në auditin që ka kryer thotë se ka pasur një rritje të paargumentuar të vlerës së kostos të ndërtimit. Kjo procedurë tenderimi është kryer në kohën kur Ministria e Brendshme drejtohej nga Sandër Lleshaj. Ky i fundit ka dhënë shpjegime po ashtu në SPAK lidhur me këtë çështje.


“Ndreca i ka dhënë të gjitha tagerat e përfaqësimit, duke mos u paraqitur në SPAK. Pritet që SPAK të japë një njoftim zyrtar për çështjen me të gjitha aktet hetimore që do i dorëzojë në Gjykatë”, thotë gazetarja.

Po nëse Ndreca shpallet fajtor, çfarë rrezikon?

Ai do vazhdojë procesin gjyqësor nëse çështja kalon për gjykim duke u proceduar në gjendje të lirë, ndërsa marzhi i dënimit për këtë vepër penale është deri në 4 vjet heqje lirie.

Theksojmë se Ndreca u betua si deputet në Kuvendin e Shqipërisë në Janar të këtij viti, ku zëvendësoi Arben Ahmetajn. Aktualisht, ai është edhe nënkryetar i Komisionit Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi.

/tvklan.al