Për rreth 4 orë, deputeti socialist Plarent Ndreca dha shpjegime në Prokurorinë e Posaçme. Pasi doli nga SPAK, ai u shpreh se ka qenë kërkesa e tij për të dhënë deklarime, duke theksuar se çështja është nën hetim. Nuk dha asnjë koment për akuzën e “shkeljes së barazisë në tendera dhe ankande publike”.


Plarent Ndreca: Ishte kërkesa ime për të dhënë deklarime. Është procedurë që e njeh Kodi Penal…

Gazetarët: Në çfarë cilësie jeni thirrur?

Plarent Ndreca: Në cilësinë e personit i cili po vijon me hetimet e çështjes, kështu që…

Gazetarët: Nuk u është komunikuar ende ndonjë akuzë?

Plarent Ndreca: Jo, është komunikuar patjetër. I kam dëgjuar, i kam lexuar edhe do shprehem në atë moment që unë konsideroj që është i duhuri. Mos u nxitoni, do shprehem në momentin e duhur. Pa merak! Për të gjitha! Çështja konsiderohet si akoma nën hetim.

Kujtojmë se akuza zyrtare iu komunikua zyrtarisht më 25 Tetor. SPAK po heton një tender në kohën kur Ndreca ishte Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme.

Ka qenë Kontrolli i Lartë i Shtetit që ka bërë një kallëzim për këtë me pretendimin se gjatë një tenderi për rikontruksionin e 4 komisariateve në rang vendi ka pasur abuzime dhe “fryrje” të kostove. Bëhet fjalë për komisariatin e Mirditës, Vlorës, Pogradecit dhe atij numër 4 në kryeqytet.

Gjatë asaj kohe KLSH në auditin që ka kryer thotë se ka pasur një rritje të paargumentuar të vlerës së kostos të ndërtimit. Kjo procedurë tenderimi është kryer në kohën kur Ministria e Brendshme drejtohej nga Sandër Lleshaj. Ky i fundit ka dhënë shpjegime po ashtu në SPAK lidhur me këtë çështje.

/tvklan.al