Deri në përfundim të hetimeve Roland Liti, një nga autorët e grabitjes së bankës së nivelit të dytë në ish-Bllok, në fillim të muajit gusht, do të qëndrojë në burg.
Gjykata e Apelit e Tiranës ka refuzuar lirimin e tij me argumentin së për të ndaluarin nuk kanë ndryshuar kushtet. Liti ka mbajtur të njëjtin qëndrim si në shkallën e parë duke mohuar akuzat e ngritura.
Sipas tij në datën 6 gusht ditën kur është grabitur banka ai ka qenë me familjen e tij duke festuar ditëlindjen e vajzës. Më pas ka ikur në Malin e Zi së bashku me disa miq të tij.
Prokuroria ka pretenduar të kundërtën duke sjellë si prova gjurmët e gishtave të Litit, që u gjetën në një shishe ujë në vendin e ngjarjes.
Gjithashtu prokuroria pretendon se 37-vjeçari ka kaluar kufirin, por nuk rezulton të jetë kthyer më në Shqipëri në bazë të sistemin TIMS.
Argumentet e hetuesit e kane bindur gjykatën duke vendosur të lërë në fuqi arrestin me burg. Për te njëjtën çështje bashkë me Roland Litin janë ndaluar Alan Babameto dhe Robert Kulla, për të cilët apeli nuk ndryshoi masën e sigurisë./ TV KLAN