Sapo ishin bërë prindër me fëmijën e tyre të dytë dhe po ktheheshin nga spitali me taksi. Me të mbërritur poshtë shtëpisë, ata paguan taksistin, morën djalin 1-vjeçar dhe zbritën. Por pasi shoferi ishte larguar, ata kuptuan gabimin e tmerrshëm që kishin bërë… kishin harruar në taksi të porsalindurin.

Protagonistë janë një çift gjerman nga Hamburgu, ndërsa episodi në fjalë u bë publik nga policia atje në një postim në rrjetet sociale. Me të kuptuar gabimin që kishin bërë, babai i foshnjes nisi të vraponte pas taksisë, por ishte tepër vonë dhe automjeti ishte larguar.

Duke qenë në gjumë, as shoferi nuk kishte e kishte vënë re prezencën e foshnjes në sediljen e pasme të mjetit. Madje policia raportoi se ai kishte shkuar të drekonte e gjatë kësaj kohe e kishte parkuar taksinë në një parking nëntokësor, duke e lënë të porsalindurin të mbyllur në makinë.

Pasi mbaroi drekën, taksisti shkoi në aeroport me shpresën për të kapur ndonjë klient.

Sigurisht që pasagjeri i radhës që hipi në mjet u bë tejet konfuz kur pa beben dhe njoftoi të zotin e mjetit për prezencën e tij. Në këtë pikë i mituri ishte zgjuar dhe nisi të ulërinte. Taksisti njoftoi policinë dhe kjo e fundit më pas e bashkoi të voglin me prindërit e tij.

/tvklan.al