Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka deklaruar se 3 punonjës të tij janë vrarë dhe 2 të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi në Ukrainën lindore.
Në deklaratë, Kryqi i Kuq nuk tha se kush qëndron pas sulmit, por e quajti të pandërgjegjshme që bombardimet të godasin një vend ku shpërndahen ndihmat.
Ndërkohë, Presidenti i Ukrainës, Zelensky ka deklaruar se viktimat ishin ukrainas dhe ka akuzuar Moskën për sulmin, duke e cilësuar atë “një tjetër krim lufte rus”.
Zelensky ndau një foto të një kamioni të bardhë në flakë me logon e Kryqit të Kuq në anën e tij, ku shkroi: Sot, okupatori ka sulmuar mjetet e misionit humanitar të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.
Sipas Kryqit të Kuq, ekipi ishte duke u përgatitur për të shpërndarë briketa druri dhe qymyri në shtëpitë në veri të Donetsk, kur u godit nga sulmi. Shpërndarja e mallrave nuk kishte nisur ende dhe asnjë banor i zonës nuk u lëndua nga shpërthimi./tvklan.al