Një reper adoleshent nga Virxhinia vrau veten aksidentalisht teksa po filmonte një video në rrjetet sociale ku shkrepi armën drejt vetes. Reperi 17-vjeçar, Rylo Huncho u gjet i vdekur në Suffolk të Virxhinias më 15 Maj, konfirmoi policia për “The Post”. Policia dyshon se ai ka ndërruar jetë si pasojë e plagës së vetëshkaktuar me armën e zjarrit në kokë.
Policia nuk konfirmoi emrin e adoleshentit të vdekur, por pamjet që qarkulluan në mediat sociale treguan reperin Rylo Huncho teksa këndonte e kërcente para kamerës me një pistoletë në dorë. Më pas, adoleshenti e drejtoi armën në kokë dhe u dëgjua një e shtënë, ndërsa ai nuk u shfaq më në kamera pasi e shtëna kishte qenë fatale.
Raportohet se ai u dërgua në një spital të zonës, ku u shpall i vdekur. Një anëtar i familjes ka krijuar një Gofundme në një përpjekje për të mbledhur 15,000 Dollarë për të lehtësuar shpenzimet e nënës që adoleshenti la pas.
“Tezja ime humbi së fundmi djalin e saj 17-vjeçar nga një plagë e vetëshkaktuar me armë në kokë. Ai ishte djali i saj i vetëm! Ajo ishte një prind i vetëm, por u kujdes për djalin e saj sa më mirë që mundej”, shkruajnë familjarët e reperit.
Huncho ka rreth 680 dëgjues mujor në Spotify, me një foto profili që tregon personazhin e Mia Goth nga filmi ‘Pearl’ duke ngritur një sëpatë. Disa nga këngët e tij në faqe përfshijnë “DOA”, “la la la”, “Hellcats SRTs”, “Money Getta” dhe “Bag Talk”./tvklan.al