Dy të rinj janë vetëdorëzuar mesditën e kësaj të Mërkure në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër. Mësohet se ndaj Samuel Troshanit (25 vjeç) dhe Izmir Sakicës (24 vjeç) është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” për “plagosje të lehtë me dashje”, “kanosje” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Siç njofton policia, ata janë përfshirë në konfliktin e ndodhur më 3 Qershor të vitit të shkuar, ku u godit me sende të forta një 62 vjeçar i quajtur Vladimir Bruçi.

“Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas janë përfshirë në konfliktin e ndodhur për vendparkimin e automjeteve, më datë 03.06.2024, në rrugën “Pogej”, gjatë të cilit u godit fizikisht dhe me sende të forta, shtetasi V. B. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme”, thotë Policia e Shkodrës.

/tvklan.al