6 muaj pas përplasjes me armë në fshatin Rranx të Bushatit në Shkodër, Prokuroria e Posaçme ka zbardhur ngjarjen e rëndë.

Me vendim të Gjykatës së Posaçme janë lëshuar 4 masa sigurie, 2 prej të cilave janë ekzekutuar.

Bëhet fjalë për Samuel Troshanin dhe Izmir Sakicën të cilët janë vetëdorëzuar më herët në polici për një tjetër ngjarje dhe tashmë janë në ambientet e paraburgimit.

Ndërkohë 2 masat e tjera nuk janë ekzekutuar, për Aleksandër Prendin dhe Franko Leka.

Nga hetimet e SPAK, rezulton se më 23 Gusht 2024, rreth orës 17:00 të pasdites personat nën hetim Izmir Sakica, Samuel Troshani dhe Franko Leka bashkë me persona të tjerë të paidentifikuar janë nisur të organizuar me mjete të blinduara për të ekzekutuar Aleksandër Prendin dhe familjarët e tij.

Ky plan duket se është zbuluar nga vetë objektivi i cili sapo ka shquar që autorët t’i afroheshin ka qëlluar në drejtim të tyre.

Nga provat e siguruara SPAK thotë se në vendin e ngjarjes rezulton të ketë pasur shkëmbim zjarri.  Njëri nga mjetet me të cilën kanë lëvizur Izmir Sakica, Samuel Troshani dhe Franko Leka, është dëmtuar dhe ka mbetur në vendngjarje, pronësia e të cilit ende nuk është zbuluar nga prokuroria.

Po në kuadër të hetimeve për zbardhjen e kësaj ngjarje, me urdhër të SPAK gjatë së martës janë ushtruar kontrolle me forcat RENEA në disa banesa në qytetin e Shkodrës që dyshohet se kane strehuar personat e implikuar.

Tv Klan