Lajme Arkiva 2003

Trafiku i automjeteve në mbrëmjen e ndërrimit të viteve pritet të jetë më i rënduar se çdo ditë tjetër të vitit edhe pse në Tiranë, por edhe në mbarë Shqipërinë rëndimi i trafikut ka filluar të ndihet më shumë këto 10 ditët e fundit, mbrëmja e sotme pritet të jetë një ferr i vërtetë për qarkullimin, kryesisht në qendër të kryeqytetit të Tiranës.       

Që nga data 20 me mbërritjen e emigrantëve shqiptarë që i kalojnë pushimet pranë familjeve të tyre, por edhe të mjaft njerëzve të ardhur nga Kosova për të kaluar festat e fundvitit në Shqipëri, numri i makinave në qarkullim është rritur në mënyrë të ndjeshme.

Kjo gjë i ka detyruar ekspertët e qarkullimit rrugor të marrin masa për organizimin e shërbimeve të veçanta në mënyrë që të rritet siguria publike në akset problematike si Durrës-Morinë etj.

Ndërsa në kryeqytet këto ditë festash është përqendruar vëmendja e policisë pranë tregjeve ushqimore dhe kryqëzimeve në rrugët kryesore, si dhe për mbarëvajtjen e punës janë angazhuar edhe 30% e personelit të qarkullimit rrugor që shërben për linjat jashtë qytetit.

Për mbrëmjen e sotme krerët e policisë i bëjnë thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve të reduktojnë konsumin e alkoolit, pasi ai është shkaku kryesor i aksidenteve në këto ditë festash.

Gjithashtu sot në mbrëmje nuk do të lejohet qarkullimi i makinave në sheshin kryesor të Tiranës.

“Unë u bëj thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve, që gjatë natës së sotme të kufizojnë lëvizjen e mjeteve në qytet që shumë nga këta le ta bëjnë këtë rrugë deri në qendër të Tiranës me këmbë për hir të kufizimit të mjeteve dhe për hir të një trafiku që të jetë të paktën i ngadalësuar dhe jo i bllokuar siç ka ndodhur rëndom dy vitet e para. Në këtë kuadër deri në orën 42 do të merret edhe një masë teknike, siç e konsiderojmë ne, bllokimi i qendrës ose i sheshit qendror të Tiranës që janë mjetet, e cila do të përfshijë bulevardin kryesor, ku ndërpritet me rrugën “Myslym Shyri”, midis Ministrisë së Rendit dhe Ministrisë së Mbrojtjes, në rrugën e Kavajës te banka, në rrugën e Durrësit, afër muzeut kombëtar, në rrugën zogu i parë te 15 katëshi dhe në të gjitha hyrjet dhe drejtimet që të çojnë rrugën tjetër  të qytetit të Tiranës, drejt qendrës, Rruga e Barrikadave. Pra i gjithë ky pellg do jetë i bllokuar nga mjetet me një shërbim të përforcuar të policisë. Gjithashtu unë përfitoj nga rasti t’ju tërheq vëmendjen të gjithë drejtuesve, sidomos atyre që përdorin alkool gjatë kësaj nate, sidomos gjatë kësaj nate, ta ndërpresin atë kur kanë ndërmend të qarkullojnë me mjete”./tvklan.al