Përgjatë vitit 2024 u kryen 1077 operacione për izolimin apo fikjen e zjarreve në disa nga qarqet më problematike të vendit. Të dhënat u bënë të ditura nga ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu në rrjetet sociale.
Sipas ministrit gjatë vitit të shkuar pati 5-fish më shumë forca të armatosura në terren për izolimin vatrave të zjarrit krahasuar me vitin 2023. Vengu shkruan se viti 2025 do ketë vëmendje të shtuar të buxhetit për Emergjencat Civile.
“Vit pas viti, buxheti për Emergjencat Civile është rritur në mënyrë të ndjeshme, dhe vëmendja e Ministrisë së Mbrojtjes do të jetë e shtuar edhe në buxhetin e vitit 2025, që do të jetë më i lartë se ai i 2024-ës, ndërsa një pjesë e rëndësishme e investimeve do të shkojë për njësitë vendore dhe investimet për infrastrukturë dhe mjete”, shkroi ministri Pirro Vengu.
Në operacionet e shuarjes u angazhuan në terren 27.854 forca operative dhe 2284 mjete, ndërsa Forcat e Armatosura u përfshinë gjithashtu në betejën nga ajri me 36 operacione. Sipas ministrit forcat e ushtrisë u përballën me situata ekstreme por u shpëtuan zona të tëra të banuara dhe mijëra hektarë pyje.
Klan News