Dy persona janë arrestuar nga Policia e Durrësit pasi vidhnin e trafikonin vepra arti. Siç shihet në pamjet e bluve, në makinën e autorëve u gjetën 13 statuja të madhësive dhe formave të ndryshme.
Mësohet se njëri prej tyre ka qenë i punësuar pranë parqeve arkeologjike, herë si roje e herë si ndihmës. Pëllumb Leka pasi siguronte statujat në Fier, Berat e Gjirokastër i trafikonte me Emanuel Çaçon.
“Vidhnin dhe trafikonin vepra arti, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 2 shtetas. Njëri prej të arrestuarëve, i punësuar roje pranë parqeve arkeologjike. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 13 statuja të madhësive dhe formave të ndryshme. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Sundimi i ligjit”, bazuar në inteligjencën policore për një rast të vjedhjes dhe trafikimit të veprave të artit nga parqet arkeologjike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “IKONAT”. Si rezultat u arrestuan shtetasit: P. L., 53 vjeç, banues në Fier dhe E. Ç., 56 vjeç, banues në Lushnjë. Këta shtetas janë kapur në flagrancë gjatë operacionit, në vendin e quajtur “Bishti i Zhurit”, Rrogozhinë, duke lëvizur me një automjet në të cilin gjatë kontrollit u gjetën 13 statuja dhe ikona të madhësive dhe formave të ndryshme. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, merreshin me trafikimin e veprave të artit dhe kulturës. Shtetasi P. L., duke përfituar nga fakti se ishtë i punësuar pranë parqeve arkeologjike, herë si rojë dhe herë si ndihmës, siguronte statuja dhe ikona të madhësive të ndryshme në qytetet Fier, Berat, Gjirokastër, dhe më pas në bashkëpunim me shtetasin E. Ç., i trafikonin me qëllim përfitimin. Një pjesë të statujave dhe ikonave ua shisnin shtetasve të huaj nga Italia, Greqia dhe Mali i Zi, kundrejt vlerave që varionin nga 10 000 deri në 20 000 euro”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë./tvklan.al