Analisti i njohur Preç Zogaj dhe bashkëshortja e tij kanë kaluar sëmundjen e Covid-19. Të dy kanë qenë të infektuar prej 3 javësh dhe tashmë janë negativizuar.

Në një postim në Facebook, analisti shkruan se ata përjetuan dhimbjet fizike që shkakton ky virus, por edhe vuajtjet psikologjike.

Preç Zogaj dhe bashkëshortja tani janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa falenderojnë mjekun Arjan Mezini të spitalit Covid 2 dhe kolegët e tij.

“Pas tri javësh në “regjimin” e  Covid-19, me në fund unë dhe ime shoqe morën përgjigjen se tamponat tanë dolën negativë. Shumë njerëz të prekur kanë dhënë dëshmitë e tyre për vuajtjet fizike dhe psikologjike që shkakton ky virus i rrezikshëm. Nuk kam ndonjë gjë të veçantë për t’u shtuar, veç t’i rikonformoj ato dëshmi dhe të nënvizoj ankthin e një beteje të zgjatur në kufijtë fluidë të përkeqësimit dhe përmirësimit, kur në ditët e sulmit, pasi ka hyrë si kalë troje në organzimin tonë, vurusi shfaq karakteristikën që tashmë ia njohim të gjithë: dinakërinë.

Kemi një falenderim të madh për mjekët dhe infermierët që asistuan shërimin tonë. Në veçanti për mjekun, Arjan Mezini, pneumolog në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Doktor Arjani është pjesë e një komuniteti mjekësh e infermierësh që po luftojnë prej muajsh si heronjë të vërtetë, në vijën e parë të betejës kundër armikut më të madh të shëndetit të njerëzve në këtë kohë, që shpresojmë të mos jetë epokë. Për të mund të them: patëm fat që  ishim pacientët e tij”.

Për fat të keq, gjatë kohës që analisti Zogaj dhe bashkëshortja kanë qenë të infektuar, humbën dy njerëz të afërt. Dy vëllezërit e bashkëshortes së Preç Zogaj u ndanë nga jeta.

“Fëmijët tanë morën frymë të lehtësuar sot. Por buzëqeshjet e tyre dhe tonat janë dënuar të mos i bëjë shoqëri këtij lehtësimi. Sepse gjatë ditëve të pengmarrjes sonë nga Covidi kemi humbur dy njerëz shumë të shtrenjtë,  Gjinin dhe Gjergjin, vëllezërit e gruas sime, shokët e mi të mirë, dy njerëz të thjeshtë, që jetuan gjithë jetën në shenjën e ndershmërisë ektreme, të cilën nuk e menduan asnjë ditë jashtë mode, por ua trashëguan si pasurinë më të madhe fëmijëve të tyre, Majlindës, Merit, Artës, Florit, Tonit. Pushofshi në paqe Gjin dhe Gjergj. Zemrat tona do të jenë gjithmonë Memoriali juaj” /tvklan.al