Premier League angleze konsiderohet nga të gjithë si kampionati më i fortë në botë. Diçka që e konfirmon edhe gara për titullin kampion në këtë sezon, i cili diskutohet mes tre skuadrave e ku diferenca është tepër e vogël.
Por një fakt të tillë nuk mund të thuhet për aventurën Europiane. Për herë të parë që prej sezonit 2014-2015, asnjë skuadër angleze nuk është pjesë e dy kompeticioneve kryesore, Champions League dhe Europa League. Manchester City dhe Arsenal dështuan për tu kualifikuar në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve, ndërsa Liverpool i Klopp në atë të Europës.
Të gjitha skuadrat e mëdha britanike i thanë lamtumirën pak a shumë në mënyrë të merituar. Përjashtim, rastësisht, bën Aston Villa e Emery, por në Ligën e Konferencës dhe me vështirësi të jashtëzakonshme.
Skeptri i kampionatit më të fortë të Europës aktualisht po kundërshtohet nga Bundesliga gjermane dhe Serie A italiane që përfaqësohen me nga 3 skuadra në kompeticionet Europiane duke rritur kështu edhe shanset për të fituar të paktën një trofe në arenën ndërkombëtare.
Klan News