Ashtu siç pritej, presidentin e Maqedonisë së Veriut do ta përcaktojë raundi i balotazhit të 8 Majit. Kur mbeten vetëm pak vota për t’u numëruar nga raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale që u mbajt këtë të Mërkurë, dy kandidatët më të votuar janë Gordana Siljanovska e VMRO-DPMNE dhe kreu aktual i shtetit Stevo Pendarovski i mbështetur nga socialdemokratët në qeveri.
Opozitarja Godrana Siljanovska siguroi më shumë se 40% të votave, me një epërsi prej mbi 20% ndaj presidentit aktual. Sipas Kodit Zgjedhor, që një kandidat për president të sigurojë mandatin që në raundin e parë, ka nevojë për një mbështetje mbi 50%.
Mes dy kandidatëve shqiptarë, më i votuari është ministri i Jashtëm Bujar Osmani. Ai siguroi 13.6% të votave dhe u rendit i treti, me 5% epërsi ndaj rivalit opozitar shqiptar Arben Taravari. Në fjalimin pas qartësimit të rezultateve, Osmani i dërgoi një mesazh edhe opozitës shqiptare.
“Ky rezultat tregon se vendimi i opozitës për t’u bërë instrument i përçarjes së votës, ndoshta na pamundëson hyrjen në raundin e dytë. Ky është edhe një mesazh për të gjithë… të vazhdojmë këtë betejë, edhe ata që kanë dilemën më të vogël, t’i bashkohen frontit që është garant për të ardhmen europiane të një shoqërie multientike që garanton bashkëjetesë”, tha Osmani.
Entuziazmi ishte i lartë mes krerëve të koalicionit të Frontit Europian që mblodhi krerët e partive kryesore të shqiptarëve.
“Dallimi midis dy konkurrentëve është mbi 40 mijë. Në të gjitha komunat jemi fitues, por më gëzon Tetova ime. Më 8 Maj, e kam një porosi si vllau-vllaut, aty ku rrezikohet edhe një mandat, le te kenë kujdes”, tha kreu i BDI, Ali Ahmeti.
“Më lejoni t’i falenderoj të gjithë këta bashkëqytetarë në atë që bashkërisht e ndërtuam dhe që është shumë kuptimplotë, front për Europën, front kundër Rusisë, front për ardhmëri, perspektivë dhe front për një Maqedoni të Veriut Europiane”, u shpreh Zijadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Pjesëmarrja në këto zgjedhje arriti në 48.47%, 5% më e lartë krahasuar me presidencialet e 5 viteve më parë, që për të parën herë u zhvilluan me votim popullor.
Tv Klan