Në Maqedoninë e Veriut vijon numërimi i votave për garën presidenciale dhe sipas rezultateve të deritanishme, në rang vendi, Bujar Osmani renditet i treti me 16,44 përqind të votave.
Momentalisht kryeson kandidatja Gordana Siljanovska Davkova e VMRO DPMNE me 36.99% të votave, e pasuar nga Stevo Pendarovski 18.18 përqind.
Ndërkohë, në selinë e BDI në Tetovë, sipas asaj që raporton Klan Macedonia ka nisur festa. Kjo pasi kandidati i tyre Bujar Osmani nga Fronti Europian prin ndaj kandidatit të VLEN, Arben Taravari. Sipas votave të deritanishme, Osmani ka 15,63% të votave, ndërsa Taravari 11,39%.
Mbi 1 milion e 800 mijë zgjedhës iu drejtuan këtë të mërkurë kutive të votimit për të votuar për kandidatët për president në Maqedoninë e Veriut. Në garë janë 7 kandidatë, mes të cilëve presidenti aktual, Stevo Pendarovski i mbeshtetur nga LSDM dhe Gordana Davkova që përfaqëson opozitën maqedonase, që udhëhiqet nga VMRO-DPMNE.
Partitë shqiptare garojnë me dy kandidatë. Ministrin aktual të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani që mbështetet nga Fronti Evropian, nën drejtimin e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Arben Taravarin, kryetarin aktual të komunës së Gostivarit, i cili mbështet nga koalicion VLEN.
Për Komisioinin Qendror të Zgjedhjeve procesi në përgjithësi ka shkuar mirë, përveç disa problemeve të vogla. Ndërsa ai po monitorohet edhe nga vëzhguesit e shumtë ndërkombëtarë. Pjesëmarrja në votime sipas shifrave të mesditës është e kënaqshme.
Fitues zgjidhet kandidati që fiton mbi 50 përqind të votave, me kusht që në zgjedhje të dalin mbi 40 përqind e qytetarëve me të drejtë vote. Sipas të gjitha gjasave, do të ketë një raund të dytë votimi, ku në balotazh do të dalin dy kandidatët që rezultojnë me më shumë vota./tvklan.al