Udhëheqësi bjellorus, Alexander Lukashenko, siguroi mandatin e shtatë presidencial dhe zgjat sundimin 31-vjeçar me 87.6% të votave në zgjedhjet presidenciale të së dielës. Ky rezultat doli nga sondazhi exit pollit të transmetuar në TV shtetëror.

Exit polli u transmetua menjëherë pas mbylljes së votimit. Zyrtarët thanë se pjesëmarrja në zgjedhje ishte 81.5% të 6.9 milionë qytetarëve me të drejtë vote.

BE-ja dhe ShBA nuk e njohin Lukashenkon si udhëheqës legjitim të Bjellorusisë pas shtypjes së protestave masive dhe manipulimit të zgjedhjeve të fundit në 2020.

Shefja e politikës së jashtme e BE-së Kaja Kallas tha në prag të votimit se procesi është një “fyerje e hapur ndaj demokracisë”.

Ndërsa udhëheqësja në mërgim e opozitës, Sviatlana Tsikhanouskaya i tha Reuters këtë javë se Lukashenko projekton rizgjedhjen e tij si pjesë e një “rituali të diktatorëve”.

Lukashenko i hodhi poshtë kritikat si të pakuptimta dhe tha se nuk i intereson nëse Perëndimi vendosi t’i njohë apo jo zgjedhjet.

Vetë diktatori shkoi të votonte në mëngjes së bashku me qenin e vogël. Ai nuk u përball me asnjë sfidë serioze nga katër kandidatët e tjerë të shënuar në fletën e votimit.

Por ndërsa rezultati nuk ishte surprizë, Lukashenku përballet me zgjedhje të vështira në mandatin e ardhshëm. Atij i duhet të manovrojë marrëdhëniet me Rusinë dhe Perëndimin.

Lukashenkoja, një aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, ka udhëhequr Bjellorusinë që nga viti 1994.

Klan News