Në sfondin e përshkallëzimit të tensioneve në Ukrainë, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan bisedoi në telefonon me presidentin rus Vladimir Putin. Gjatë bisedës, të dy presidentët kanë diskutuar marrëdhëniet dypalëshe dhe forcimin e shkëmbimeve tregtare.

Pjesë e diksutimeve ka qenë edhe konflikti Rusi-Ukrainë ku Ankaraja është përpjekur disa herë të moderojë qëndrimet e palëve për t’u afruar drejt një paqeje të qëndrueshme.

Biseda e dy presidentëve vjen pasi Rusia goditi Ukrainën me një raketë të re balistike hipersonike me rreze të mesme veprimi të enjten në përgjigje të përdorimit të raketave amerikane dhe britanike nga Kievi kundër Rusisë.

Ky është përshkallëzimi i radhës i Putinit në luftë që nga fillimi i pushtimit në Shkurt të vitit 2022.

Por gjithashtu, telefonata Erdogan-Putin ndodh pak orë para takimit që kreu i shtetit turk do të zhvillojë me shefin e NATO-s Mark Rute në Ankara. Në krye të axhendës së takimit janë zhvillimet e fundit në frontin e luftës.

Sekretari i Përgjithshëm do të takohet me përfaqësues nga industria turke e mbrojtjes dhe do të vizitojë objektet e Industrive Turke të Hapësirës Ajrore.

Para Erdoganit, Rutte takoi presidentin e zgjedhur Donald Trump, i cili është zotuar të ndërmjetësojë një paqe të qëndrueshme sapo të marrë detyrën në Janar.

Klan News