Vetëm pak ditë pasi Bashkimi Evropian bëri të ditur nisjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në bllokun 27 anëtarësh, presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, i bën apel Maqedonisë të zgjidhë çështjen e emrit.

Jose Manuel Barroso: “Rekomandimi ynë është një stimul për zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë. Ne kemi bërë një analizë objektive lidhur me progresin e bërë në bazë të kritereve që kemi vendosur, dhe jam i kënaqur të shoh progres në këtë drejtim. Por edhe pse propozuam negociata, kemi thënë gjithashtu se marrëdhëniet e mira fqinjësore janë shumë të rëndësishme për integrimin në Bashkimin Evropian.”

Kjo çështje, prej kohësh krijonte tension mes Maqedonisë dhe Greqisë. Siç shkruan gazeta maqedonase Dnevnik, Barroso e cilësoi këtë, si çelësin që Shkupi zyrtar të ecë përpara me negociatat.

Por, ashtu siç është deklaruar edhe më parë, pavarësisht se Greqia fqinje ka ndryshuar qeveri, politika e saj kundrejt Maqedonisë nuk do të ketë asnjë ndryshim.

Kryeministri i vendit, Jorgos Papandreu është shprehur se nuk do të bëjë lëshime dhe as ndryshim të sjelljes diplomatike lidhur me këtë çështje, edhe pse, gjatë vizitës së tij në Turqi, u shpreh se Greqia është e interesuar në një zgjidhje e cila duhet të sigurojë stabilitet në rajon./tvklan.al