Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Presidenti i Republikës Alfred Moisiu, ka ngushëlluar familjen mbretërore për humbjen e parakohshme të mbretëreshës Susan. Moisiu i shoqëruar nga e bija ka qenë gjatë paradites në vilën e familjes mbretërore, për t’i shprehur ngushëllimet në emër të të gjithë popullit shqiptar, kandidatit për fronin mbretëror Leka Zogu i Parë dhe të birit princit, për vdekjen e mbretëreshës.

Sipas zëdhënësit të oborrit, zotit Fluturak Gërmenji, sot dhe nesër të gjithë ata që duan të shprehin ngushëllimet e tyre për humbjen e mbretëreshës Susan, mund të bëjnë vizita në një sallë në hotel Dajti nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 20:00.

Fluturak Gërmenji: “Ditën e mërkurë, fillon ceremoniali i lamtumirës, që në orën 8 të mëngjesit në sallën e madhe të hotel Dajtit, ku do të bëhen homazhe nga populli, nga përfaqësues të ndryshëm të gjithë krahinave që vijnë edhe nga Kosova edhe nga shqiptarët e Maqedonisë edhe nga Ulqini edhe nga Diaspora, si dhe personalitetet publike, përfaqësuesit e shtetit shqiptarë, të trupit diplomatik, nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 12:00. Aty do të kryhet dhe ceremonia fetare dhe pastaj do të niset kortezhi dhe mbretëresha Susan do të prehet pranë varrit të Nënës Mbretëreshë Geraldina”.

Mbretëresha Susan vdiq pasditen e të shtunës në spital, pas një sëmundje të gjatë./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka