Presidenti i Republikes, Ilir Meta ka refuzuar kërkesën e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, për t’i dhënë autorizimin për nisjen e negociatave për një marrëveshje të re për përcaktimin e kufirit detar me Greqinë dhe çështjet e tjera të hapura mes dy vendeve.
Fillimisht me anë të një letre të bërë publike drejtuar ministrit Bushati e më pas në një konferencë për shtyp, kreu i shtetit argumentoi se kërkesa ishte jo e qartë dhe binte ndesh me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetutës të vitit 2010 që rrëzoi marrëveshjen e vitit 2009 po për kufirin detar, vendim për të cilën ai thotë se është vijë e kuqe në këtë çështje.
Presidenti argumenton se kërkesa nuk përkufizon qartë objektin e negociatave për autorizim për plotfuqi.
“Vetëm duke përcaktuar objektin e saktë të negocimit, grupi negociator legjitimohet për të zhvilluar diskutime brenda objektit të tij”,
thuhet në letrën e tij.
Konsiderohet
“i paqartë objekti i negocimit, edhe sa i takon pjesës ku puqen hapësirat detare ndërmjet Italisë, Greqisë, e Shqipërisë, pasi kjo – thotë presidenti Meta – mund të kapërcente kufijtë e këtij autorizimi negocimi dypalësh”.
Por pika më e nxehtë duket të jetë përbërja e grupit negociator. Meta kërkon që pjesë e tij të jenë edhe përfaqësues të institucionit të Presidentit, si dhe përcaktimin e të gjithë emrave të ekipit negociator. Kjo, thotë presidenti, është një tjetër detyrë që lind nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, teksa hedh poshtë çdo prentedim se ai synon të drejtojë negociatat.
“Presidenti nuk synon të ulet e të kryesojë bisedimet, presidenti nuk është ekspert, por presidenti ka për detyrë të përmbushë të gjitha përcaktimet e këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese”.
Meta thotë se përbërja e grupit negociator nuk është e plotë sa i takon institucioneve të përfshira dhe mungesa e përcaktimit nominal të delegacionit krijon hapësirë që të mos përmbushë standardet për nivelin e njohurive të kërkuara apo nuk jep garancitë e nevojshme për integritetin moral dhe profesional për të marrë pjesë në negociata kaq të rëndësishme për shtetin shqiptar.
Për këtë arsye, presidenti shprehet se “në formën e paraqitur, kërkesa lidhur me grupin negociator dhe përbërjen e tij është jo e plotë dhe e pabazuar në Kushtetutë, vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe praktikës së mëparshme.
Presidenti i kërkon Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme që të përcaktojë edhe çështjen e standardeve dhe metodologjisë së përdorshme për negocim.
Por a po e përdor Ilir Meta refuzimin për politike të brendshme?
“Qëllimi i presidentit nuk ka qenë dhe as nuk do të jetë të bëjë lojë politike në lidhje me fqinjët, në marrëdhënie me Greqinë dhe aq më tepër për një çështje kaq serioze e delikate, për të cilën ka edhe sensibilitet. Presidenti nuk mund të vihet përballë fakteve të kryera, të vihet në dijeni në fund dhe më pas të thotë se nuk jep besimin që të nënshkruhet marrëveshja, pasi do të thellonte krizën.
Më lejoni të shpreh konsideratën më të lartë me Kryeministrin Tsipras për konstruktivitetin edhe në situata më të nxehta e të panevojshme të retorikave populiste mes dy vendeve. Dhe kjo konsideratë, i uroj suksese në vizitën e paralajmëruar, por axhenda e cilitdo personalitet të nderuar, nuk mund të më imponojë mua të paktën që të mos përmbush detyrat e mia për realizimin me sukses në mënyrë të suksesshme, transaparente të një marrëveshje historike që duhet të zgjidhet njëherë e përgjithmonë mes dy vendeve”.
Në qëndrimin e presidentit shprehen rezerva edhe për një tjetër paragraf të kërkesës, atë “për plotësimin e kuadrit ligjor ndërkufitar tokësor, që sipas Ministrisë së Jashtme “do të rrëzonte çdo lloj pretendimi territorial që mund të ekzistojë në të dy vendet”. Por kreu i shtetit kërkon
“të sqarohet qartë se për çfarë pretendimesh konkrete territoriale bëhet fjalë, cila palë i ka shfaqur ato, në ç’mënyrë, në çfarë kohe, dhe a ka qenë kjo çështje objekti i diskutimit eksploratore diplomatike që janë realizuar përpara paraqitjes së kërkesës për negocim”.
Tv Klan