Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, konfirmoi të martën se do të vizitojë Moskën në Maj dhe kështu mund të realizojë vizitën e tij të parë në Rusi prej nisjes së luftës në Ukrainë.
“Nëse nuk vjen fundi i botës, do të ishte nder i madh për mua që të jem në Sheshin e Kuq për përvjetorin e 80-të të çlirimit prej fashizmit”, tha Vuçiç.
Presidenti serb thotë se ka diskutuar për këtë çështje edhe me kryeministrin sllovak, Robert Fico, i cili “gjithashtu do të marrë pjesë”.
Kremlini njoftoi të martën se synon që më 9 Maj të vitit tjetër të shënojë “festimin më të madh në histori”.
Vizita e kreut Serb në Moskë do të shkelë politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, organizatë ku Serbia kërkon të anëtarësohet.
Pavarësisht thirrjeve të Brukselit, Serbia vazhdon të refuzojë sanksionimin e Rusisë për luftën në Ukrainë dhe Beogradi vazhdon të kultivojë lidhje të ngushta me Kremlinin.
Serbia i ka nisur negociatat për anëtarësim në BE më 2014.
Klan News