*Nga Hashim Thaçi, President i Kosovës
Unë jam i sigurt se në politikën kosovare, tek qytetarët e Kosovës, nuk ka aspak dyshim se ne, si udhëheqës institucionalë të Kosovës, duhet të punojmë bashkë me qëllim që brenda një periudhe sa më të shkurtër kohore, t’i japim fund bisedimeve me Serbinë, duke nënshkruar marrëveshjen për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të dy shteteve.
Ne kemi luftuar kundër okupimit të dhunshëm nga Serbia dhe kemi fituar lirinë në qershorin e vitit 1999. Kjo histori është e njohur për të gjithë ne, sepse ka bashkuar të gjithë shqiptarët dhe Kosovën me Perëndimin, në radhë të parë me SHBA-në, Aleancën Veriatlantike dhe BE-në.
Ne, së bashku me aleatët tanë, arritëm ta bëjmë Kosovën shtet në shkurtin e vitit 2008 dhe prej atëherë jemi njohur nga 116 shtete anekënd botës.
Megjithatë, të gjithë ne e dimë fare mirë se stabiliteti afatgjatë i shtetit të Kosovës është pashmangshëm i lidhur me anëtarësimin e Kosovës si shtet në OKB, në Paktin NATO dhe në BE.
Në këtë mënyrë, Kosova do të jetë përjetë e mot shtet i qëndrueshëm, anëtare e familjes së kombeve paqedashëse në OKB, anëtare e aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, NATO-s, si dhe në fund edhe anëtare e Bashkimit Evropian.
Nuk mund t’i arrijmë këto qëllime, nuk mund ta vulosëm njëherë e përgjithmonë fatin e Kosovës si shtet, nëse në muajt e ardhshëm nuk do ta bëjmë marrëveshjen ligjërisht obliguese me Serbinë.
Shumë prej jush mund të thonë që si shtet kemi merituar që rrugëtimi ynë drejt OKB-së, NATO-s dhe BE-së të jetë më ndryshe, më i lehtë, më i shpejtë dhe të mos varej më nga marrëveshja paqësore me Serbinë. Keni të drejtë në këtë qëndrim tuajin, por ja që realiteti rajonal dhe ndërkombëtar imponon arritjen e marrëveshjes për normalizim për të dy shtetet, si kusht i domosdoshëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Marrëveshja mund të arrihet vetëm nëse palët bëjnë kompromis. Ju mund të thoni përsëri se Kosova tashmë i ka bërë të gjitha kompromiset e dhimbshme. Unë përsëri pajtohem me ju. Por, realiteti është edhe më kokëfortë se argumentet tona. Njohja nga Serbia është bërë pengesa primare për rrugëtimin tonë euroatlantik. Dikush mund të thotë se Serbia duhet ta njohë Kosovën pa kushte dhe brenda këtyre kufijve. Edhe unë dua të njëjtën gjë. Por, a mendoni se ne do ta bindim Serbinë ta bëjë një gjë të tillë së shpejti? Fatkeqësisht, jo. Po BE-ja dhe aleatët tanë të fuqishëm: SHBA-ja, Gjermania, Anglia, Franca, Italia e shumë të tjerë, a mendoni se do ta bindin Serbinë ta njohë Kosovën? Përsëri, jo. Nuk kanë mundur ta bindin të bëjë një gjë të tillë deri më sot dhe nuk mund të garantojnë se do ta bëjnë nesër apo në të ardhmen e afërt. Si rezultat, përgjegjësia mbetet tek ne.
Për ta arritur këtë qëllim, unë kam propozuar opsionin e korrigjimit të kufirit me Serbinë. Kam argumentuar se marrëveshja eventuale e korrigjimit paqësor të kufirit me Serbinë, Kosovës i siguron njohjen nga Serbia dhe bashkëngjitjen e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me vendin tonë. Kam pritur kundërargumente racionale, por deri më sot kam dëgjuar më tepër zhurmë dhe në rastin më të keq edhe urrejtje. Kosova është vend shumë i vogël për të prodhuar kaq urrejtje, e cila e ndan shoqërinë tonë.
Tashmë të gjithë e dimë që Kosova është trajtuar përherë si rast i veçantë apo ‘Sui Generis’, në ndërmarrjen e madhe ndërkombëtare të zgjidhjes së çdo procesi rreth saj. Në këtë kontekst, lufta për liri, intervenimi humanitar i NATO-s, shpallja e pavarësisë së Kosovës në mënyrë të koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare, pavarësia e mbikëqyrur dhe shtetndërtimi, janë vetëm disa nga veçoritë që e kanë bërë Kosovën të trajtohet si një rast i veçantë. Dilemat vendore dhe ndërkombëtare i kanë shoqëruar të gjitha këto procese. Kështu, në prag të shpalljes së deklaratës së pavarësisë, kishte shqetësime se Kosova mund të shërbente si rast precedent për vende apo rajone të tjera në botë. Por, këto shqetësime dolën të pasakta. Gjithashtu, një shqetësim tjetër i madh ishte frika nga eksodi masiv i komunitetit serb që jeton në Kosovë, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë. Edhe ky paragjykim doli i gabuar.
Kosova tani është shtet i pavarur dhe ne jemi në fazën përfundimtare të shtetndërtimit. Por, edhe tani ka dilema, njësoj sikurse më herët. Çuditërisht, në kohën kur Kosova e ka të hapur mundësinë për të arritur marrëveshje paqësore me Serbinë, rrufeshëm dhe nga shumë drejtime, ngritën shqetësime të paqëndrueshme. Skeptikët, sot përsëri janë bërë bashkë për të kundërshtuar opsionin real të korrigjimit paqësor të kufirit me Serbinë, si mundësi e njohjes reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë. Po e përsëris: korrigjimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura, të cilat do ta njohin njëra-tjetrën si shtete, do të jetë pjesë përbërëse e demarkacionit të kufirit të gjatë 430 kilometra.
Dyshuesit në marrëveshjen ligjërisht obliguese në mes të Kosovës dhe Serbisë, me lehtësi po përhapin frikë për gjoja destabilizim të rajonit dhe thellim të ndarjes etnike në Ballkan. Po krijojnë panik dhe mjegull, duke i trilluar të njëjtat argumente, njësoj sikurse në prag të shpalljes së pavarësisë.
Kam konsideratë të lartë për të gjithë ata që në mënyrë racionale janë të përfshirë në këtë debat, por atyre që prodhojnë vetëm zhurmë dhe panik, me keqardhje u them se janë të gabuar.
Në ditët e kaluara kam pasur takime shumë të rëndësishme me politikanët kryesorë të shteteve fqinje të rajonit. Së pari takova Ilir Metën, Presidentin e Shqipërisë, pastaj në Podgoricë u prita nga Millo Gjukanoviç, Presidenti i Malit të Zi, si dhe në fund bisedova në Shkup edhe me Zoran Zaevin, Kryeministrin e Maqedonisë.
Në të gjitha këto bisedime miqësore dhe të sinqerta, ua bëra me dije synimin tonë për marrëveshjen me Serbinë, duke i dhënë fund armiqësisë mbi njëshekullore dhe duke ruajtur stabilitetin në këtë pjesë të Ballkanit, por edhe qëllimin tonë për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin dhe miqësinë me të gjitha vendet e rajonit.
Marrëveshja paqësore e bazuar në korrigjimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në rast se arrihet, do të jetë krejtësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Një marrëveshje e tillë, Kosovës i siguron njohjen formale nga Serbia, i siguron bashkëngjitjen e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës dhe i hapë rrugë të sigurt për anëtarësim në BE, NATO dhe OKB, duke forcuar kështu stabilitetin dhe mbyllur vatrën e fundit të konfliktit në Ballkan.
Prandaj, skeptikët e kësaj marrëveshjeje mund t’i siguroj që tani se nuk do të ketë korrigjim të kufirit përgjatë vijave etnike, nuk do të ketë eksod të popullsisë dhe as efekt domino sa i përket stabilitetit të kësaj ane të Evropës.
Për më tepër, kjo marrëveshje paqësore do të vendosë një gur të rëndë mbi të ashtuquajturën “Kuti e Pandorës”, e cila këto ditë po përflitet me shumë pasion. E nëse dikush patjetër argumenton dhe i referohet një marrëveshjeje eventuale të korrigjimit paqësor të kufirit si precedent, atëherë ky rast vërtet do të mund të përdorej në të ardhmen si një precedent pozitiv i domosdoshëm për të zgjidhur mosmarrëveshjet ndërshtetërore vetëm në mënyrë paqësore dhe jo me luftë.
Koha e luftërave dhe konflikteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, për bindjen time, ka kaluar. Por, fundi i kësaj epoke do të konstatohet vetëm kur ta bëjmë marrëveshjen përfundimtare paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. /
tvklan.al