Presidenti Donald Trump, në ditën e parë të tij në detyrë përmes një urdhëri ekzekutiv fali 1,500 persona të dënuar për sulmin e 6 Janarit 2021 ndaj Kapitolit, duke përmbushur një premtim të përmendur gjatë fushatës presidenciale.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të urdhrave ekzekutivë në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Trump tha se ka ulur dënimet për 14 persona të dënuar për veprime të dhunshme gjatë sulmit ndaj Kapitolit.

Udhëheqësit e organizatave të ekstremit të djathtë “Proud Boys” dhe “Oath Keepers” janë ndër ata që po vuajnë dënime me burg. Më shumë se 600 persona janë akuzuar për sulm ose pengim të policisë gjatë protestës së dhunshme.

Në mesin e urdhrave të tjerë për të përmbushur sërish premtimet e tij, Trump shpalli emergjencën kufitare dhe hoqi aplikacionin e azilit duke i dhënë një goditje emigracionit të paligjshëm.

Zyrtarët kanë thënë se Trump planifikon t’i japë fund shtetësisë së të drejtës së lindjes, që do të thotë se fëmijët e migrantëve pa dokumente që jetojnë në SHBA nuk do të konsiderohen më automatikisht shtetas amerikanë. Ai gjithashtu nënshkroi një urdhër që i shpallte kartelet meksikane të drogës si organizata terroriste.

Ndër të tjera, ashtu sikurse ka deklaruar edhe më herët Trump u zotua edhe njëherë për të tërhequr Shtetet e Bashkuara nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, e cila është kritikuar gjerësisht nga republikanët.

Presidenti Trump dhe ligjvënësit republikanë i kanë kritikuar politikat e administratës së Presidentit Biden për ndryshimet klimatike si veprime që dëmtojnë bizneset dhe ekonominë amerikane.

Ai gjithashtu nënshkroi një tjetër urdhër ekzekutiv, për tërheqjen e SHBA nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). SHBA do të largohet nga Agjencia Shëndetësore e Kombeve të Bashkuara për 12 muaj dhe do të ndalojë të gjithë mbështetjen financiare për punën e saj.

Trump kritikoi OBSH-në për dështimin për të vepruar në mënyrë të pavarur.

Një tjetër urdhër që ai firmosi ishte edhe shtyrja e zbatimit të ligjit që ndalon TikTok në Shtetet e Bashkuara për 75 ditë. Presidenti amerikan sinjalizoi zhgënjimin e tij me arsyetimin pas ndalimit të mundshëm të TikTok, duke thënë se Kina ka bërë shumë gjëra të tjera që shiten në SHBA, përfshirë telefonat. 

Mes të tjerash ndër një sërë urdhrash ekzekutivë, Presidenti Trump gjithashtu nënshkroi edhe një urdhër për pezullimin e përkohshëm të punësimeve të reja në qeverinë federale me përjashtim të ushtrisë dhe një dekret tjetër për të pezulluar përkohësisht miratimin e rregullave të reja federale nga agjencitë qeveritare. 

Klan News