Presidenti i ShBA-së Joe Biden shfrytëzoi vizitën në Shtëpinë e Bardhë të homologut të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy për të njoftuar një pako të re ndihme ushtarake prej 8 miliardë dollarësh me qëllim për të ndihmuar Kievin të zmbrapsë pushtuesit rusë.
Kjo pako përfshin për herë të parë bomba lundruese precize me një rreze veprimi deri në 130 km. Gjithashtu përfshihen raketa me rreze të mesme që do t’u mundësojnë forcave ukrainase të godasin në largësi më të sigurta forcat ruse. Nuk pati ndonjë vendim për kërkesën e vazhdueshme të Ukrainës për të përdorur raketat me rreze të gjatë veprimi brenda Rusisë.
“Ne po e bëjmë të qartë se qëndrojmë me Ukrainën tani dhe në të ardhmen,” u tha Biden gazetarëve përpara një takimi dypalësh me Zelenskiyn në Zyrën Ovale. Ai shtoi se SHBA-ja do të vazhdojë ta ndihmojë Ukrainën për të forcuar pozicionin e saj në fushën e betejës dhe se ka udhëzuar Pentagonin që të ndajë të gjitha fondet e mbetura të sigurisë deri në fund të mandatit të tij në janar.
Presidenti Zelenskiy e falënderoi Biden-in për mbështetjen dhe tha se është e rëndësishme të sigurohet anëtarësimi i Ukrainës në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Më vonë, konferencën e shtypit Zelensky e zhvilloi me nënpresidenten KamalaHarris, njëherësh kandidate për zgjedhjet e nëntorit. Ajo premtoi mbështetjen e saj për Ukrainën dhe kërkoi që Amerika t’u bëjë ballë “agresorëve”, duke iu referuar presidentit rus Vladimir Putin.
“Ukraina i ka rezistuar agresionit të Rusisë dhe sot Kievi qëndron i lirë dhe i fortë. Putini e filloi këtë luftë dhe ai mund ta përfundojë nesër nëse thjesht tërhiqte trupat e tij nga territori sovran i Ukrainës.”
Duke e vënë në shënjestër rivalin Donald Trump pa e përmendur drejtpërdrejt, ajo tha se ka disa njerëz që po kërkojnë nga Ukraina të pranojë neutralitetin dhe të heqë dorë nga marrëveshjet e sigurisë me kombet e tjera. “Ato nuk janë propozime për paqe. Përkundrazi, janë propozime për dorëzim,” shton ajo.
Zelenskyy thotë se mbrojtja ajrore e Ukrainës duhet ‘të forcohet urgjentisht’. “Duhet t’i japim fund kësaj lufte. kemi nevojë për një paqe të drejtë. Na duhet të mbrojmë popullin tonë. Familjet ukrainase, fëmijët dhe të gjithë nga e keqja e Putinit. Ne i jemi mirënjohës Amerikës për mbështetjen e Ukrainës gjatë gjithë kohës.”
Gjatë takimeve në Shtëpinë e Bardhë presidenti Zelensky ka paraqitur edhe planin e tij të fitores.
Klan News