Qeveria ka nisur një model të ri të administrimit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit që synon ta kthejë atë jo vetëm në zbatues të projekteve publike por dhe në një menaxher asetesh.

Një ndër projektet e parë të këtij modeli do të zbatohet në Bulqizë ku do krijohet Divizioni, Parku Tematik Retro Bulqizë 2024, që do të ketë treg artizanësh, park fëmijësh, vende pushimi për moshat e treta por dhe hotele, restorante e bare që do të menaxhohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe banorët e zonës.

Kryeministri dhe zëvendësja e tij kanë prezantuar projektin si një model që do ta kthejë Bulqizën në një nukël tërheqëse për turizmin e zonës.

“Të fuqizohet më shumë financiarisht për të riinvestuar më shumë dhe për të vazhduar të krijojë modele të tilla zhvillimi, ku faktikisht, siç do të ndodhë me këtë projekt, ato gra të Bulqizës që i kemi njohur në rrethana të tjera, ato gra të Bulqizës që janë të famshme në këtë zonë si në të gjithë Dibrën, ku gratë janë të investuara për të ruajtur traditën e ushqimeve për të cilat pastaj turistët dhe vizitorët që vijnë  këtej lëpijnë gishtat, siç i thonë fjalës, të mund të jenë pjesë e administrimit, të mund të jenë pjesë e suksesit dhe të mund të ndajnë edhe divident nga të ardhurat dhe jo thjesht të marrin një pagë”.

Por projekte të ngjashme qeveria synon t’i shtrijë në të gjitha pronat e ushtrisë që nuk janë funksionale.

“Ministria e Mbrojtjes po ngre një departament të veçantë për zhvillimin e këtyre pronave pa  hequr dorë nga pronësia e shtetit, e Ministrisë së Mbrojtjes, duke krijuar hapësira për partneritete të natyrave të ndryshme, por mbi të gjitha duke i kthyer në çfarëdolloj rruge sipas projekteve këto asete të mbetura që vazhdojnë edhe trajtohen nganjëherë si vendndodhje ushtarake, ku nuk ka këmbë ushtari, në një burim të ardhurash për ekonomitë e zonave, për turizmin në radhë të parë por edhe për Ministrinë e Mbrojtjes”.

Ndërsa rreshton çfarë ka bërë për Bulqizën dhe qarkun e Dibrës në tërësi, ku veçojnë Rrugën e Arbrit duke siguruar se do të përfundojë shumë shpejt dhe tuneli i Murrizit, Rama e Balluku u kthyen përgjigje dhe akuzave të opozitës për mungesën e investimeve në veri.

Është e paimagjinueshme që narrativa perverse, diabolike dhe përçarëse, narrativa nxitëse e urrejtjes, e cila e ka dominuar 30 e kusur vite politikën tonë për shkaqe që ju i dini dhe që unë nuk do t’i diskutoj këtu, vazhdon ushqen dhe ka akoma njerëz që vazhdojnë e hanë narrativën që qeveria jonë nuk ka bërë investime në veri.

Ne nuk kemi bërë investime në veri? Nëse marrim investimet në veri të qeverisë sonë, përfshirë edhe investimet që akoma sot nuk kanë përfunduar në rrugën e Kombit, në rrugën e Kombit të cilës qeveria e mëparshme, burimi i kësaj narrative të ulët, i ndërtoj vetëm trupin, aksin, por e la totalisht rrugëve nga pikëpamja e të gjitha pjesëve të tjera, ku vetëm urat e ndërtuara janë sot atje si rezultat i kësaj qeverie, janë investime në veri që të marra së bashku janë jo një njëherë, por disa herë më shumë sesa të gjitha investimet në infrastrukturë të bërë për veriun në të gjitha vitet bashkë përpara se ne të vinim në qeveri sepse rruga e Arbrit nuk është në jug, është në veri. Nuk është në jug është në veri rruga që shkon deri lart në Vermosh dhe atë e ka bërë kjo qeveri. Nuk është në jug, po është në veri rruga nga Shkodra në Velipojë”.

Rama i paralajmëron qytetarët e Bulqizës që me afrimin e zgjedhjeve dhe premtimet dhe akuzat nga kundërshtarët e tij politik do të shtohen, por ai është i bindur që me votë qytetarët do të dinë t’i ndëshkojnë.

“Sudet dhe për Rrapushët që e kanë persekutuar Shqipërinë që nga viti 1912 me të gjitha përrallat dhe fantazitë keqbërëse të tyre. Sot janë përsëri vërdallën dhe sa më shumë do t’i afrohemi momentit të gjykimit të popullit ku të gjithë do marrin atë që iu takon, aq më shumë do shikoni t’ju vijnë me qilima fluturues nëpër dyer edhe t’ju thonë: “ma ble qilimin se unë do të çoj në hava”, por të gjithë shqiptarët e arsyeshëm e kanë provuar fluturimin e atij qilimi edhe nuk i kthehen më atij fluturimi sepse tanimë është shumë e qartë që ne mund të vazhdojmë të synojmë të fluturojmë vetëm duke forcuar këmbët dhe duke ecur hap pas hapi në këmbë, të bashkuar për Shqipërinë e vitit 2030, e cila do të jetë anëtare e BE dhe një horizont i ri do të hapet për ata që më pas do marrin stafetën, se askush nga ne nuk rron sa malet, por malet janë këtu dëshmitare për të gjithë ne”.

Tv Klan