Kryetarja e gjykatës speciale, Trendafilova e konsideron rast “voluminoz” për të trajtuar të gjitha çështjet
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndodhen në paraburgim në Hagë prej muajit Nëntor të vitit 2020, pasi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Deri tani prokuroria ka administruar provat dhe dëshmitë e atyre që pretendojnë se janë torturuar nga Thaci, Veseli, Krasniqi dhe bashkëpunëtorët e tyre gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.
Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.
Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka thënë se në fund të këtij viti, apo në fillim të vitit të ardhshëm, pret që të nisë gjyqi.
E pyetur për vonesën në nisje të procesit, Trendafilova ka thënë se gjykatësi i procedurës paraprake është duke punuar shumë në këtë rast “voluminoz” për të trajtuar të gjitha çështjet.
“Gjykatësi i procedurës paraprake është duke punuar pa pushim që të dorëzojë të gjitha çështjet e komplikuara për këtë rast, ashtu siç ka vepruar në rastet tjera”.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty. Pikërisht këtë raport 11 vite me pas synon që ta rrezojë si të pabazuar kryeministri shqiptar Rama që do të flasë para Këshillit të Evropës në Strasbourg më 12 Tetor pasdite.
Klan News