Me këtë video kryeministri përshëndeti shqiptarët që e prisnin në Athinë, ende pa u nisur drejt shtetit fqinj. Rreth orës 10 të paradites, Edi Rama zbriti në aeroportin e Athinës, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama dhe anëtarët e kabinetit qeveritar.
Rruga drejt stadiumit Galatsi, Edi Rama e përshkoi në masa të rrepta sigurie dhe forca të shumta të policisë, të vendosura në dispozicion nga shteti grek.
Ndërsa në stadiumin Galatsi ishte gjithcka gati, teksa dhjetra shqiptarë e prisnin jashtë kryeministrin Rama. Për mikrofonin e Klan News, ata kanë dhënë përshtypjet dhe pritshmëritë nga takimi me kryeministrin.
“Pas gjithë atyre ngacmimeve greke, ja doli. Ne jemi krenarë që jemi shqiptarë, jemi krenarë me këtë kryeministër dhe e falenderojmë nga zemra që erdhi sot.”
“Nga ky takim besoj të ketë gjëra të mira që edhe grekët ta kuptojnë që jemi popull miqësor, nuk jemi racist.”
“Takim i shkëlqyer. Presim shumë gjëra përshembull të kemi mirëkuptimin, shëndetin, spitalet të gjitha të mirat.”
“Jemi krenarë që na erdhi një kryeministër shqiptarë këtu.”
Të gjithë shqiptarët e pranishëm, para nisjes së fjalimit të kryeministrit Rama patën mundësi të shijonin edhe performance nga disa prej këngëtarëve më të njohur shqiptarë.
Klan News