Ish-Kryeministri Sali Berisha thotë se privatizimi i ish-kompleksit “Partizani” është procesi më legjitim i bërë ndonjëherë. Në një bashkëbisedim me qytetarët në “Facebook”, Berisha pretendon se në dosjen hetimore të SPAK nuk ka asnjë provë për të ngritur akuza penale ndaj tij.

Sali Berisha: Ju garantoj se ai është procesi më legjitim që mund të jetë kryer ndonjëherë. Në 3 vjet hetime, prokurorët politikë të Edi Ramës, nuk arritën të gjejnë asnjë provë dhe as fakt, asnjë dokument që të ndërtojnë akuzë penale ndaj meje, dhëndrit tim, Jamarbër Malltezit sepse nuk gjetën asnjë shkelje ligjore, përveç njërit, të Edi Ramës me ndryshimin e orientimit nga sport në zonë banimi, i kryer nga Edi Rama në 2006. Nuk ka asnjë shkelje ligji. Janë pyetur me dhjetra e dhjetra punonjës, asnjë prej tyre nuk del të thotë se Sali Berisha më ka bërë presionin më të vogël apo Malltezi shkeli në zyrën time apo më bëri presion.

Nuk po ndalem këtu se ku e bazon kallëzimin Taulant Balla dhe Edi Rama, se edhe ai është një dokument mashtrimi publik i pakonceptueshëm. Taulant Balla dhe Edi Rama në kallëzimin e tyre 3 vjet më parë, akuzojnë se toka nuk u përket pronarëve. Se është marrë me dokumente false, se është paguar nga autoritetet pushtuese italiane gjatë luftës. Dhe sollën për këtë një dekret të Jakomonit nga Firence, me emrat e pesë familjeve të shpërblyera për tokën. Problemi është se këto familje nuk kishin asnjë metër tokë në territorin e klubit Partizani, por ndoshta 1 mijë metër larg. Theksoj prapë se pesë familjet kanë në atë zonë 67 mijë katror. Kanë marrë 30 apo 30 e ca mijë, por ata nuk morën dot as gjysmën e tokës së tyre në atë zonë. Këto janë akuzat, pastaj prokurorët politikë kanë marrë reformat në gjykim, në hetim.

Çdo ligj i bërë nga PD nga viti 2005, për pronat, për sportin, për reformat ekonomikë, këta kretinë mjeranë e interpretojnë sikur është bërë për të favorizuar dhëndrin tim. Po jap vetëm një shembull.
Në vitin 2008 apo 2009 vendosëm përdorimin e bonove të thesarit nga pronarët, të emetuara me dekret presidencial në vitin 2005. Të përdorura nga qytetarët dhe të përndjekurit politikë në vlerë rreth 250 milionë dollarë, për të blerë objekte privatizimi. Vendimi që nxorëm prapë si detyrim absolut moral dhe ligjor ndaj pronarëve dhe të tjerët, se u kishim dhënë 1.3 milionë shqiptarëve bono dhe ato nuk kishin pse mbeteshin në xhepat e tyre, ky vendim kishte pra këtë qëllim. Se ata e lidhin se e kam bërë për të favorizuar dhëndrin tim. Ky vendim ka dalë 1 muaj pasi familjet e nderuara kishin paguar 88.6 përqind të detyrimit të tyre me lekë direkt, apo kishin paguar pra rreth 700 mijë dollarë të detyrimit të tyre.

Në fjalën e tij, Berisha thotë se kryetari i opozitës vihet nën sanksione nga një gjykatëse e lidhur sipas tij, direkt me kryeministrin Edi Ramën pa autorizimin e Parlamentit.

Sali Berisha: Unë jam para jush së pari për t’u përgjigjur çdo pyetje tuaj për çdo gjë që dëshironi. Së dyti, do bëj një deklaratë të shkurtër. Siç jeni informuar, në një akt të paprecedent në ndonjë vend tjetër, kryetari i opozitës vihet nën sanksione nga gjykatëse e lidhur direkt me Edi Ramën dhe skapistë të kontrolluar plotësisht prej tij, si në asnjë vend tjetër dhe si kurrë ndonjëherë në Shqipëri, vihet në sanksione pa autorizimin e parlamentit. Ndaj tij, gjykatësja e lidhur direkt me Edi Ramën, skapistët e kontrolluar plotësisht prej tij, vendosin masën e paraqitjes dy herë në javë, vendosin kufizimin e lëvizjes duke i marrë pasaportën. Këto veprime janë në kundërshtim flagrant me disa nene të Kushtetutës, por më specifik me nenin 73, pika dy, në të cilin sanksionohet se deputeti nuk mund të arrestohet, nuk mund t’i kufizohet në asnjë lloj formë liria e tij, nuk mund të kontrollohet pa autorizimin e parlamentit. Mbi bazën e këtij neni të mbartur që në fillimet e pluralizmit, gjer sot asnjë deputet nuk ka pasur sanksione nga prokurorë apo gjykatës pa autorizimin e parlamentit. Në rast se u kujtohet, ka qenë rasti Bllako, rasti Tahiri e shumë të tjera. Kjo do të thotë se Edi Rama, Kushtetutën e zbaton për miqtë e tij, për deputetët e tij, dhe jo për deputetët e opozitës që i ka armiq në konceptet e tij mjerane. Pra, një nen i Kushtetutës që vlen për hajdutë si Alqi Ballako, trafikantë si Saimir Tahiri, nuk mund të vlejë për kryetarin e opozitës, Sali Berishën. Kjo demonstron në mënyrën më flagrante karakterin tmerrësisht politik të këtij procesi të ndërmarrë nga Edi Rama me frikën e tmerrshme se opozita nisi 10 ditë më parë në parlament, betejën pa kthim.

Për SPAK-un, Berisha thotë: SKAP-i i partisë tani është skupi i partisë. Fshehin dokumente për të krijuar dyshimin se nga mbijnë këto fonde.

/tvklan.al