Genc Ruli: “Kemi zgjedhur një investitor që jo vetëm ka garancitë financiare për të kryer investimet e nevojshme për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në furnizimin me energji elektrike, por mendoj se ka dhe eksperiencën dhe motivimin e duhur dhe marrja e një çmimi që tejkalon ndjeshëm vlerën e asaj të vetë kompanisë në mesin e një krize të madhe financiare mbarë botërore. Është gjithashtu një tregues i rëndësishëm i suksesit të këtij transaksioni”.

Teksa shitja e OSSH kompanisë çeke CEZ, në vlerën rreth 100 milion euro u quajt sukses rajonal nga qeveria shqiptare. Ajo që po ndodh një vit pas privatizimit të kësaj kompanie në terren mund të quhet me plot gojën një dështim.

Televizioni Klan ka muaj që gjendet pranë qytetarëve shqiptar me një mori kronikash, ku në zona të tëra dritat kanë ikur me ditë dhe po me ditë kanë qenë edhe vonesat e OSSH në riparimin e situatës.

Ndryshe nga shumë kompani të tjera shtetërore, që kur u privatizuan rritën cilësinë e shërbimit, me OSSH-në ndodhi e kundërta.

OSSH-ja u shërbente më mirë dhe më me cilësi qytetarëve kur ishte publik se sa tani që është privat.

Teksa OSSH shtetërore iu përgjigjej ankesave të qytetarëve brenda disa orëve, OSSH private i përgjigjet brenda disa javëve.

Teksa një subjekti privat për të lidhur një kontratë me OSSH-në shtetërore i duhej një javë, me OSSH-në private i duhet më shumë se 3 muaj.

OSSH kishte premtuar përpara privatizimit se do të investonte në shumë të mëdha, thuhej rreth 200 milion euro për të përmirësuar cilësinë e shërbimit, ndërkohë që pas një viti investimet janë pothuajse zero.

Madje burime pranë drejtorisë rajonale të OSSH-së së Tiranës, bëjnë të ditur për televizionin Klan se në këto momente nuk ka asnjë metër kabull për t’iu përgjigjur emergjencave dhe Tirana është plotësisht në mëshirë të fatit.

Tashmë është e qartë për të gjithë se OSSH është shndërruar në një hinkë që vetëm mbledh lek nga qytetarët shqiptar dhe nuk investon asnjë kacidhe. Në këtë situatë topi i mbetet qeverisë shqiptare.

A duhet të vazhdojë qeveria shqiptare të masturbojë me shifrën e privatizimit të kësaj kompanie, apo duhet të gjendet pranë interesave të qytetarëve shqiptar, duke detyruar këtë kompani tashmë private të respektojë të gjitha pikat e kontratës?

Këtë përgjigje qeveria shqiptare e ka të qartë, i mbetet vetëm të veprojë ose në të kundërt të ndëshkohet nga qytetarët e vet./tvklan.al