E ftuar në studion e “Rudina” pasditen e kësaj të shtune në Tv Klan, Suzana Guxholli rrëfeu pak për karrierën  e saj. Ajo ndau me publikun ëndrrat e dëshirat që kishte në një kohë kur të flisje për karrierë e ambicie, nuk ishte asgjë tjetër veçse gabim ose diçka që s’duhej menduar e aq më tepër të thuhej.

Karriera e saj u zhvillua në ambientet e Fakultetit të Ekonomisë, pranë studentëve e dijes. Si një profesoreshë ajo gjithnjë e ka bërë punën e saj me përgjegjësi, por nëse do e pyesnim a e ka dashur ndonjëherë atë profesion Suzana Guxholli do të thotë pa drojë “jo”. Ëndrra e saj ka qenë shkenca, inxhinieria. Por, partia e asaj kohe nuk të jepte mundësinë që të zgjidhje, por vetëm të pranoje atë që të ra për pjesë.

Megjithëse mbaroi studimet dhe punoi me përkushtim në profesionin që nuk e donte, Suzana Guxholli thotë se asnjëherë nuk hoqi dorë nga ëndrra e saj deri në momentin që e bëri realitet. Koha i dha zhgënjime të njëpasnjëshme, vuajtje e sfida, por për Suzana Guxhollin ato nuk ishin gjë tjetër veçse forcë për të mos u dorëzuar.

Suzana Guxholli: Para viteve ’90 unë kam qenë pedagoge në Fakultetin Ekonomik që e quaja veten fatlume, por nuk është se e zgjodha unë atë punë e atë karrierë. Pasi më doli ekonomiku që nuk e doja, madje kam qarë për nja 3 ditë e fillova se nuk kisha zgjidhje, se ndryshe duhet të shkoja të punoja në fabrikë ose në bujqësi, kështu që shkova. Por, nga ana tjetër bëja pjesë tek ai grupi që nëse doja të bëja diçka doja ta bëja mirë deri në fund. Dola mirë me mësime, por kurrë nuk e lashë pas dore ëndrrën time.

Rudina Magjistari: Cila ishte ëndrra jote?

Suzana Guxholli: Ëndrra ime shkenca, ishte inxhinieria dhe me akrobacia falë një profesori të nderuar të Fakultetit të Inxhinierisë të shkencave mekanike, falë tij unë arrita që me rrugë joligjore si fillimi, ta frekuentoja atë fakultet dhe e mbarova. Unë shkova punova dhe një vit tek qelqi. Ka qenë një vit i tmerrshëm, nga ata vite që unë duhet të çohesha dhe të mbahesha me dhëmbë. Ngrihesha në orën 5 që të çoja çunin në çerdhe, hipja autobusin e Kombinatit ku piketoheshe si sardele dhe të punoja në fabrikën e qelqit. Atje të shkretët punëtorë ishin kryesisht të dalë nga burgu, të dënuar për politikë për biografi të keqe, ndjehen era dhe të hynte në gjuhë soda kaustike me të cilën bëhej qelqi. Unë me gjithë ato ëndrra, që isha një studente që kisha lexuar e mësuar, merresha me disa fatura në atë pluhurin e asaj fabrike i plotësoja, i hidhja në një libër dhe i çoja në bankë. Ishte një zhgënjim që më dha forcë të mbahem. Për fat atë kohë parti dha një urdhër që të gjithë ata që ishin me dhjeta të ktheheshin në universitet dhe unë u mora si një studente shumë e mirë. Ai ishte fat sepse të punosh me studentë, me brezin e ri, të jesh gjatë gjithë kohës në kontakt me dijen e të renë, pavarësisht se nuk ishte ëndrra ime se nuk e kisha menduar kurrë që unë do bëhesha një pedagoge. E mendoja veten në një fushë më krijuese. Kështu që unë kam punuar në Fakultetin Ekonomik, kam bërë atje gjithë karrierën akademike, titujt e kështu me radhë./tvklan.al