Në datë 16 Janar Gjykata e Lartë do të japë vendimin për çeshtjen Meta- Prifti. Për shkak të kompleksitetit të çeshtjes gjykata vendosi të shtyjë vendimin ndonëse palët në gjykim prisnin të dëgjonin po brenda kësaj seance dhe verdiktin e gjykatës. Përfaqësuesit e akuzës kanë kërkuar dënimin me 2 vjet burg të ministrit të Ekonomisë dhe të ish zëvëndëskryeministrit Ilir Meta duke e cilësuar fajtor për korrupsion si dhe gjobitjen e tij me 1 milionë lekë.
Sipas organit të akuzës dëshmitë e ish-ministrit Dritan Prifti janë vërtetuar në procesin gjyqësor duke faktuar kështu akuzat se Meta ka favorizuar koncensionet e dhëna për kompani të caktuara në fushën e ndërtimit të hidrocentraleve.
Pas pretencës, avokatët e Metës nuk kanë kërkuar asnjë minutë kohë për të bërë mbrojtjen e klientit të tyre. Gjatë hetimit gjyqësor, Prokuroria nuk kishte asnjë fakt, por e mbështeti akuzën vetëm mbi dëshmitë e Priftit i cili paralelisht është marrë dhe i pandehur nga ana e prokurorisë me akuzën për korrupsion. I vetmi fakt i vërtetë që doli gjatë këtyre gjashtë muajve hetim gjyqësor, ishte videoja origjinale e gjetur në orë, Prifti- Beqiri, ku dëshmitari i vetëm i Prokurorisë ,shfaqet duke marrë mijera euro nga ish vartësi i tij./tvklan.al