Një karrierë e gjatë në radio e televizion ku ka lënë gjurmë të forta e prej 8 vitesh, fjala e tij shenjon lexuesit. Një njeri mes paralelesh, një gazetari, personazhi televiziv si Enkel Demi që shkrihet me shkrimtarin e njohur si Tom Kuka.

Në një intervistë në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ai flet për të dyja këto anë, por duke qenë se Tom Kuka ka lindur prej tij, prezantimi nga Ardit Gjebrea nis fillimisht me Enkel Demin. Gjatë prezantimit, Gjebrea zbulon propozimin që Demi ka marrë së fundmi dhe refuzimin që i ka bërë moderatorit të së “Dielës Shqiptare”.

Ardit Gjebrea: Me Kelin gazetar, me Kelin autor  programesh që nga mëngjesi deri në darkë, me Kelin  shkrimtar, me Kelin që gatuan mirë, me Kelin që i kanë propozuar të prezantojë Festivalin e Këngës tani edhe për pak, po. Nuk e dije? E di unë. Pyet Tomën.

Enkel Demi: Faleminderit, do bëj “Këngën Magjike?”

Ardit Gjebrea: Festivalin e Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Te “Kënga Magjike” gjithmonë ke  vendin në juri, këtë vit prapë… pse më refuzove?

Enkel Demi: Nuk të refuzova, pse ma bën kështu pyetjen? Ti e di që unë nuk vija dot, kisha ca impenjime në ditët që është fundjava, e shtuna, e diela, ishte gati-gati e pamundur, do të mungoja dhe do të të vija ty në vështirësi. Por jam shikues i rregullt, madje ma merr mendja që pjesa që shoh më me zell është pjesa e “New Artist” dhe ndihem pak xheloz. Ndihem pak xheloz, diku duhet të isha ulur unë atje.

Ardit Gjebrea: Aq sa dua Tom Kukën kur e lexoj, aq edhe nuk e dua kur më refuzon për Kelin te “Kënga Magjike”.

Enkel Demi: Vitin tjetër, ka “Këngë Magjike?”

Ardit Gjebrea: Patjetër.

Enkel Demi: E bëjmë që tani!

Ardit Gjebrea: U krye!/tvklan.al