Familjarët e viktimave të Gërdecit kanë protestuar paqësisht në sheshin Skënderbej duke i kujtuar politikës që të mos e përdorin më politikisht çështjen e tyre, por t’i ndihmojnë në hallet që kanë.
Banorët e Gërdecit u përkrahën në protestën e tyre dhe nga lëvizja “MJAFT”, e cila kujtoi se protesta e madhe e organizuar në 15 Mars në këtë shesh ishte vetëm një show.
“Në datë 15 Mars një prej grupeve të partive politike doli edhe gjoja protestoi për 15 Marsin e Gërdecit, ku ne kemi humbur familjarët tanë. Ata dolën këtu me një të ashtuquajtur një kryetar shoqate ku në vend që të lexonte emrat tamam, siç ishte për të lexuar emrat e viktimave, harroi, por lexoi dhe disa emra që ishin gjallë. Kryetari i shoqatës së Partisë Socialiste mund ta deklarojë atë lloj robi.”
“Në datën 16 Mars nuk u kujtua asnjë për viktimat e Gërdecit. Nuk erdhi një njeri të na qante një hall, çfarë problemesh keni, të paktën qoftë edhe një problem të vogël të na zgjidhni, po vetëm në datën 15 dhe unë mendoj që kjo ishte një diçka politike”.
Blerina Ankollari: “Ajo çka ne kërkojmë aktualisht është që politika të jetë gjithnjë e më prezente, të vazhdojë të jetë prezente, të gjenerojë politikat e saj për qytetarët e Gërdecit edhe jo vetëm, edhe mos bëhet një politikë spektaklesh, një politikë që kujton që mund të bëhet aktor dhe personazh vetëm për disa orë këtu dhe pastaj të zhduket me biletat e shpërndara nëpër shtëpitë e qytetarëve”.
Banorët e Gërdecit dhe familjarët e viktimave kanë kërkuar edhe një herë që të zbardhet e vërteta e tragjedisë që u mori jetën 26 personave./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami