Dy vjet nga tragjedia e 15 marsit në Gërdec banorë e familjarë të viktimave vazhdojnë t’i kërkojnë politikës që të mos e përdorë fatkeqësinë e tyre.
Në ceremoninë përkujtimore të këtij viti morën pjesë sërish përfaqësues të Partisë Socialiste të kryesuar nga kryetari i saj, Edi Rama, të cilët akuzuan qeverinë për këtë ngjarje.
Namik Dokle: “Dje ishte Dita e Verës, festë për Shqipërinë dhe për të gjithë njerëzit dhe është tepër e dhimbshme që një ditë pas saj të kujtojmë 26 të vrarë nga korrupsioni qeveritar, nga makutëria e qeveritarëve dhe për këtë arsye ai krater siç është krateri i dhimbjes për jetët e njerëzve është dhe krateri i akuzës për ata që ngritën fabrikën e vdekjes këtu”.
Por banorët e Gërdecit i kanë kundërshtuar këto homazhe për të mos lejuar siç u shprehën ata që ato të kthehen në vizita politike, e që politikanët të mos e shfrytëzojnë këtë ngjarje për interes te tyre.
Feruzan Durdaj: “Nuk është aspak mirë që politika të ndërhyjë dhe të marri pikë për fatkeqësinë çfarë na ndodhi ne. Politika e pati, apo ata të krahut të majtë çfarë janë të PS-së e patën rastin për të marrë pushtetin kur u vranë 26 veta dhe se morën. Kështu që sot ata janë njerëz që na ngatërrohen nëpër këmbë ne, na shfrytëzojnë ne për pikët e veta. Le të vijnë të bëjnë homazhe për veten e vet, për të mbrojtur të drejtat e tyre, kurse për punë politike absolutisht jo nuk pranojmë asnjë gjë”.
Rreth 15 km larg nga Tirana dy vjet më parë shpërtheu fabrika e demontimit të armëve, ku humbën jetën 26 persona, si dhe u plagosën rreth 300 të tjerë. Çështja po gjykohet në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë. /tvklan.al
Gazetar: Julian Kasapi