Analisti Arjan Curi ka bërë një analizë për protestën e thirrur tek selia e PD-së të shtunën e 8 Janarit. Sipas tij, do të shohim “një shfaqje anticivilizuese”. Madje sipas analistit “do të shikojmë luftë të kohës së shpellave”.

Curi tha se në këtë protestë duhet zgjidhur gjithçka. Curi mendon se nëse Berisha nuk e nxjerr Bashën nga selia merr fund përfundimisht. Nga ana tjetër, analisti shtoi se nëse Berisha e nxjerr Bashën, nuk fiton ai vetë, por humbet Basha.

Sipas Arjan Curit, Berisha do të përpiqet që t’i humbasë Bashës autoritetin që ky i fundit ka tek ndjekësit e vet.

“Nesër zgjidhet dhe duhet zgjidhur gjithçka. Nesër nëse Berisha nuk e nxjerr Bashën, Berisha merr fund përfundimisht dhe Basha e merr përfundimisht PD-në. Nesër nëse Berisha e nxjerr Bashën nga njëra anë nuk fiton Berisha, por nga ana tjetër humbet Basha. Domethënë edhe po hyri Berisha në seli nuk është se do ta gëzojë dot atë seli. E bëri në 14 Shtator të ’98, mori kryeministrinë, mori Televizionin Shqiptar me mjete shumë më pak tekniko paqësore nga ato që janë porositur për nesër. Por historia na tregoi që Fatos Nano nuk ndenji më kryeministër, ra. Pse? Sepse një kryeministër që del nga selia, një kryetar partie që përzihet nga partia e humbet autoritetin në sy të ndjekësve të vet. Këtë do të bëjë Berisha tek Basha, ta legenosë, ta bëjë teveqel, ta bëjë rezil. Këtë mundësi e ka nesër dhe vetëm nesër. Po thonë që ka dhunë, s’ka dhunë. Nesër në selinë e PD-së njerëzit do të shikojnë një pamje spektakolare të rendit natyror, të asaj që filozofët që antikiteti deri më sot janë munduar të shmangin, duke krijuar civilizimin. Nesër PD-ja do të na japë një shfaqje anticivilizuese. Pse? Sepse duke rënë institucionet, qoftë ato të PD-së, nga ana tjetër shteti, policia nuk do të ndërhyjë, nga ana tjetër gjykata nuk e ka mendjen fare sepse Vettingu në mes kush do t’ia dijë Kuvendi i Berishës, Kuvendi i Bashës ishte legjitim… Në këtë moment kur kanë rënë institucionet që njeriu ka 2500 vjet që i ka shpikur, në Shqipëri, nuk mendoj rastësia e çoi këtë realitet në këtë pikë, nesër në PD do të shikojmë luftë jo si e Hektorit se ajo është ku ma gjen, por do të shikojmë luftë të kohës së shpellave ku fiset përplaseshin me njëri tjetrin. Berisha nga njëra anë, pra ata që mendojnë për Berishën, të armatosur me matrapik, me “rififi””. /tvklan.al