Mosbindja civile e deputetëve të opozitës në ambientet e jashtme të Parlamentit ka përfunduar pas rreth 3 orësh. Teksa demokratët u nisën për në selinë e PD-së, Flamur Noka ka thënë se regjimi sot ka arritur kulmin duke kërcënuar nën tytën e armës deputetët.
Flamur Noka: Siç e patë, sot regjimi arriti kulmin duke kërcënuar nën tytën e armës deputetët. Nuk kishte ndodhur kurrë që forcat speciale të policisë të futen në ambientet e Gardës dhe të kërcënojnë nën tytën e armëve deputetët e popullit. Këtu vdes demokracia, shteti i së drejtës dhe shteti ligjor, vetëm diktatura, vetëm juntat fusin në Parlament polici dhe forca të armatosura.
Gjatë fjalës së tij në një prononcim për mediat, Noka ka thënë se ata janë të vendosur në rrugën e tyre për të vijuar me mosbindjen civile teksa është shprehur se sipas tij, “narko-regjimi është në panik nga opozita”.
Flamur Noka: Stërnipi i Enver Hoxhës kërcënon opozitën nga foltorja, narko-banditët me uniformë policore, gati të bëjnë çdo gjë. Që nga rrethimi dhe dhuna ndaj deputeteve, që nga prania e Gardës dhe Policisë tregon një panik. Narko-regjimi në panik nga mosbindja civile e opozitës. Edhe kërcënimet që hidhen nga Elisa Spirogjoka, nuk mund të tregojnë asgjë tjetër veçse panik dhe panik. Asgjë nuk i shpëton nga vullneti i opozitarëve. Shqiptarët kërkojnë qeveri teknike. Sot nuk kanë kaluar 24 orë nga dita kur kreu i narkos ju tha shqiptarëve se do çelë kapitujt e negociatave, i çeli nën tytën e armëve duke kërcënuar deputetët. Jemi të vendosur në rrugën tonë, asgjë nuk na ndal. Ne do të vazhdojmë në rrugëtimin tonë.
/tvklan.al