Gramoz Ruçi: “Në asnjë rast në asnjë moment, asnjë aktor, asnjë faktor dhe asnjë institucion i PS-së deri më sot dhe kjo mbledhje e Asamblesë Kombëtare nuk ka shfaqur asnjë predispozitë për të mos marrë pjesë në parlament.”
Deklarata e muajit korrik e kryetarit të Asamblesë Kombëtare të PS-së Gramoz Ruçi, në prag të mbledhjes së kongresit të jashtëzakonshëm fshiu dyshimet e zërave opozitar brenda PS-së dhe madje mediatike për braktisje të Kuvendit.
Një opsion që u përjashtua kategorikisht nga selia rozë e që trilloi si tregim politiko-mediatik, e pse jo vuri në dyshim dhe reagimin pas asamblesë të Ben Blushit. Rreth një muaj më parë Blushi u duk se foli për një fitore mbi një opsion që nuk ekzistonte.
Ben Blushi: “Jam i kënaqur në fund të ditës që arritëm ta bindim për të mos thënë të imponohemi me logjikë kësaj asambleje trupës drejtuese të partisë deri në kongres që PS në mënyrë kategorike të mos bojkotojë parlamentin. Opozita do jetë në parlament.”
Por ajo çfarë kishin paralajmëruar kundërshtarët e kryetarit të PS-së Edi Rama mbi bojkot të Kuvendit, rezultoi të ishte e vërtetë. Një mundësi që nuk ish përjashtuar në asnjë rast, por që për çudi nuk u trajtua as në mbledhjen e asamblesë dhe as në kongresin e jashtëzakonshëm të partisë.
Në këto dyja këto forume u fol për zgjedhje të manipuluara dhe parlament me legjitimitet të cunguar, por në asnjë rast për bojkot të Kuvendit. Lajmin për këtë të fundit e dha për mediat kryetare ende në detyrë Edi Rama, vetëm një ditë pas kongresit. Rama la të kuptohet qartë se mbledhja e forumeve nuk do të përjashtonte bojkotin si zgjedhje politike.
Edi Rama: “Vendimmarrja e PS-së për marrëdhëniet me këtë parlament, me legjitimitet thellësisht të cunguar është një vendimmarrje që kongresi ia ka lënë institucionet tjera të PS-së, duke i konsideruar këto zgjedhje pa legjitimitet dhe duke konsideruar rezultatin e këtyre zgjedhjeve të papranueshëm.”
Një deklarim që tingëlloi surprizë, të paktën për kundërshtarët brenda partisë të kryetarit në detyrë Rama.
Ben Blushi: “Kongresi nuk ka marrë vendim për të bojkotuar parlamentin e Shqipërisë, gjë për të cilën u thirr. Kongresi me sa mora vesh dje, ne kemi qenë të gjithë aty, gati 8 orë rresht nuk e kemi dëgjuar fjalën bojkot nga askush. E dëgjuam fjalën bojkot vetëm nga kryetari në detyrë i PS, të nesërmen në kongres dhe në atë sallë nuk pati guximin ti thoshte partisë vetë po, unë mendoj se nuk duhet të shkojmë në parlament, nuk e tha këtë gjë.”
Arben Malaj: “Opozita mund të bëhet vetëm në institucionet e saj. Ideja për të bllokuar, qoftë edhe përkohësisht pjesëmarrjen në parlament ka vetëm elementë denigrues për mendime ndryshe dhe nuk sjell një produkt të mirëfilltë politik.”
Po në një konferencë për shtyp Rama u kujdes të sqarojë se kongresi i jashtëzakonshëm i partisë e kishte nënkuptuar këtë gjë. Pikërisht kur shprehej mbi qëndrimin ndaj zgjedhjeve.
Edi Rama: “Kongresi e ka përcaktuar shumë qartë parlamentin e Shqipërisë si një institucion me legjitimitet thellësisht të cunguar, ç’ka do të thotë se ky parlament nuk mund të jetë teatri i një farse demokratike dhe me këtë parlament PS duhet dhe do të ketë raporte të kushtëzuara nga fillimi deri në fund.”
Më këtë logjikë në listën e atyre që nuk e kishin kuptuar apo më mirë nënkuptuar opsionin për braktisje të Kuvendit, krahas kundërshtarëve të kryetarit Rama përfshihet edhe kryetari i Asamblesë Kombëtare Gramoz Ruçi.
Aso kohe Ruçi e lexoi ndryshe qëndrimin e forumit që drejton në raport me Kuvendin. Dokument i cili si i tillë u miratua edhe në kongresin e jashtëzakonshëm…/tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi