Partia Socialiste rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike në Konferencën e Kryetarëve për zgjatjen e afateve të punimeve të Komisionit Hetimor për shërbimet publike të sterilizimit dhe të check-up në shëndetësi.
Siç raporton Klan News, komisionit hetimor i mbaron afati të enjten. Po ashtu kërkesa e demokratëve pritet të diskutohet edhe nesër në seancën parlamentare.
Kërkesa e Partisë Demokratike u bë me 3 argumente kryesore:
1. Nuk ka kohë për dëshmitarët e miratuar nga të dyja palët
2. S’ka asnjë mundësi zbardhje dhe miratim procesverbalesh (dokumente të nevojshme për t’u miratuar para mbledhjes së fundit)
3. S’ka asnjë mundësi të diskutohet edhe të shkruhet raporti (qoftë një apo dy)
Debate në lidhje me këtë çështje pati edhe gjatë mbledhjes që zhvilloi sot komisioni hetimor. Opozita kërkoi shtyrjen e afateve dhe thirrjen si dëshmitarë të Kryeministrit Edi Rama dhe Vilma Nushit ndërsa mazhoranca i cilësoi këto pretendime si politike.
Si pasojë e këtyre debateve të forta, edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj nuk mundi të japë dot dëshminë e tij pavarësisht se u dërgua në Kryesinë e Kuvendit nga qelia për dy ditë me radhë me pranga në duar./tvklan.al