Pasi nuk arriti për më shumë se 9 orë të jepte dëshminë e tij të martën në Komisionin Hetimor, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, la sërish këtë të mërkurë qelinë dhe me pranga në duar, që i mbulonte me xhaketën e tij, u rikthye në Kuvend.

Por edhe mbledhja e të mërkurës e nisur që në orën 10:30 rezervoi të njëjtat tablo, debate mes palëve, teksa edhe pas 11 orësh të tjera, Beqaj nuk arriti të japë dëshminë e tij në Komisionin Hetimor për Çështjen e Sterilizimit dhe Check Up.

Albana Vokshi: E sollët 2 ditë show me pranga Ilir Beqajn që ta hidhni si limon të shtrydhur vetëm e vetëm që të mos i dhënë mundësi komisionit që të marrë dëshminë e Edi Ramës dhe Vilma Nushi.

Plarent Ndreca: Në 10 fjalë, 7 i thoni hajdutëri që ju të çoni përpara një axhendë politike të paracaktuar.

Molla e sherrit kësaj radhe u bë një foto e kryeministrit me Vilma Nushin.

Plarent Ndreca: Na keni strapacuar, ftojeni Beqajn të dëshmojë.

Albana Vokshi: Një foto është, shih ça ju bëri! E kupton?

Plarent Ndreca: Ju të vrisni! Ja kaq pushtet keni, ju të vrisni. Fikja mikrofonin.

Ky debat çoi në ndërprerjen e radhës së mbledhjes, ndërkohë që ish-ministri Beqaj ishte kujdesur që fotot të cilat do i prezantonte në Power Point gjatë dëshmisë së tij, i kishte vendosur në ambientet e Kryesisë.

Rikthimi në sallë i anëtarëve të komisionit nuk i dha zgjidhje ngërçit, por e tensionoi edhe më tej situatën me kryetaren e komisionit që mbante mbi tavolinë foton e Ramës me Vilma Nushin dhe deputetët e mazhorancës që iu përgjigjën me pankarta ku shkruhej: “Mos kini frikë nga fjala e lirë.”

Situata u tensionua edhe më tej teksa nënkryetari i komisionit Plarent Ndreca, kërkoi që Ilir Beqaj të thirret për të dhënë dëshminë e tij, duke e konsideruar këtë një kërkesë procedurale, brenda rendit të ditës.

Për kryetaren e komisionit Albana Vokshi kjo ishte një përpjekje e mazhorancës për të marrë komisionin hetimor.

Në pamundësi për të dëgjuar dëshminë e Beqajt, pasditen e së mërkurës mazhoranca me shumicë votash rrëzoi në Konferencën e Kryetarëve kërkesën e opozitës për të zgjatur afatin e Komisionit Hetimor, i cili mbaron këtë të enjte.

Pavarësisht qëndrimit të mazhorancës për mos zgjatjen e afatit komisionit, demokratët theksuan se nuk do të heqin dorë në thirrjen si dëshmitarë edhe të kryeministrit Edi Rama dhe biznesmenes Vilma Nushi.

Tv Klan